Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi, është parë dje duke ndjekur ndeshjen Sllovaki – Kosovë, i shoqëruar nga disa liderë politikë. Veprimi i tij përbën shkelje të rëndë të Kodit të Etikës dhe Sjelljes Profesionale për Prokurorë. Megjithatë, nga Prokuroria kanë deklaruar se bëhej fjalë vetëm për një moment të rastësishëm festiv.
Kryeprokurori Gashi ndeshjen Sllovaki – Kosovë e shikoi nga stadiumi në Bratisllavë së bashku me disa zyrtarë të lartë të partive politike.
Në fotografi ai shihet i rrethuar nga zëvendëskryeministri i parë dhe nënkryetari i VV-së, Glauk Konjufca dhe kryetarit të partisë Guxo, Faton Peci, i cili është edhe kryetar i komunës së Mitrovicës.
Gjithashtu, afër prokurorit shihet edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Blerim Gashani.
Në fotografinë e publikuar nga Përparim Rama, aty ishte edhe kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci.
Figura politike me poste të rëndësishme si Rama, Lladrovci e Peci, kanë qenë pjesë e raportimeve për kontrata milionëshe të dyshimta.
Ndryshe, lidhur me fotografinë e publikuar ku shihet Gashi me liderët politikë, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka dal me reagim.
Sipas tyre fotoja ‘’ paraqet vetëm një moment të rastësishëm festiv’’, dhe se, ‘’në asnjë mënyrë nuk lidhet me ndonjë takim të planifikuar, apo afërsi personale me ndonjërin nga personat e pranishëm në atë hapësirë’’..
“Në tribunën ku ka qenë i ulur Kryeprokurori Gashi, në të njëjtën hapësirë kanë qenë të ulur edhe përfaqësues tjerë të insititucioneve të vendit si dhe te disa subjekteve politike ashtu siç edhe i kanë pasur biletat.”
“Fotografia e publikuar paraqet vetëm një moment të rastësishëm festiv të të gjithë kosovarëve që kanë qenë të pranishëm në stadium duke përcjellë nga afër këtë ngjarje sportive dhe në asnjë mënyrë nuk lidhet me ndonjë takim të planifikuar apo afërsi personale të Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, z. Zejnullah Gashi, me ndonjërin nga personat e pranishëm në atë hapësirë”.
