Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë shprehi shqetësim të thellë lidhur me veprimet e fundit të ndërmarra nga institucionet qeveritare, duke i cilësuar ato si të dëmshme për klimën ekonomike në vend.
Sipas dhomës së tregtisë, në një periudhë kur po zhvilloheshin diskutime për të gjetur zgjidhje për bizneset e prekura nga Ligji për Pronën Publike, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor kanë vendosur pa paralajmërim një ndalim të përkohshëm ndaj sektorit të gurthyesve.
“DHTIK thekson se vendimet ad hoc dhe pa konsultim kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në ekonomi dhe vazhdimi i praktikave të tilla vetëm e thellon krizën”, thuhet në njoftim.
Sipas tyre, për shkak të pengesave të krijuara nga ligji dhe masave të fundit, një pjesë e madhe e zhavorrit që përdoret në Kosovë po importohet nga Serbia. Kjo situatë, siç thuhet, ka ndikuar negativisht në tregun vendor, duke rrezikuar vende pune, duke ulur aktivitetin ekonomik dhe duke shkaktuar luhatje të çmimeve.
Dhoma njoftoi se është në komunikim të vazhdueshëm me bizneset e prekura dhe se në bashkëpunim me to do të përcaktojë hapat e mëtejmë në reagim ndaj kësaj situate.
