Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) janë duke e zhvilluar një betejë politike në lidhje me emërimet e anëtarëve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ). Partia në pushtet me ngulm kërkon të ketë tre anëtarë në KQZ, ndërsa PDK, si partia e dytë, kërkon të marrë dy ulëse.
Për këtë, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, po pret një sqarim nga Gjykata Kushtetuese lidhur me emërimet e anëtarëve në KQZ, duke shtuar se partitë politike parlamentare kanë propozuar më shumë kandidatë sesa lejon Kushtetuta.
Periskopi ka dërguar pyetje në Gjykatën Kushtetuese, duke pyetur se a do të trajtohet kërkesa e Osmanit për anëtarët e KQZ-së dhe a ka filluar trajtimi dhe kur pritet ndonjë aktgjykim.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës është përgjigjur shkurt duke thënë se “Kjo lëndë është duke u proceduar nga Gjykata.”
KQZ përbëhet nga 11 anëtarë. Sipas Kushtetutës së Kosovës, përbërja e KQZ-së duhet të ketë 11 anëtarë, 6 prej të cilëve përfaqësojnë grupet parlamentare shqiptare dhe 4 anëtarë nga radhët e komuniteteve. Kryesuesi i KQZ-së duhet të vijë nga radhët e sistemit gjyqësor.
Kujtojmë se javën e kaluar Periskopi kishte raportuar se LVV është duke kërkuar emërimin e tre anëtarëve të KQZ-së, PDK dy anëtarë, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë propozuar nga një anëtar në KQZ.
Lëvizja Vetëvendosje (LVV), Alban Krasniqi, Violeta Salihu dhe Njazi Isaku – janë emrat e propozuar nga kjo parti për përbërjen e re të KQZ-së.
Partia e dytë në vend, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ka propozuar dy emra për përfaqësues në KQZ. Nga PDK kanë treguar se Rashit Qalaj dhe Ilir Gashi janë propozimet e tyre.
Dy partitë tjera, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), kanë propozuar emrat e njejtë, nga mandati i kaluar: Sami Hamitin dhe Muharrem Nitajn.
