Kosovë Lajme

Sfida ndaj ligjit: ‘Revita’ punon edhe me ndalesë!

Në Kosovë, ndërhyrjet estetike si Botox dhe fillerët po përhapen me shpejtësi, por një pjesë e madhe e tyre ofrohet jashtë ligjit dhe pa mbikëqyrje profesionale. Injektimi i Botox-it, që nuk është i licencuar për asnjë subjekt juridik, vazhdon të kryhet ilegalisht, duke i ekspozuar qytetarët ndaj praktikave të pasigurta.

Përveç aspektit ligjor, rreziku qëndron te pasojat shëndetësore nga aplikimi joprofesional: infeksione, deformime, reaksione alergjike dhe dëmtime serioze. Mungesa e kontrollit dhe e standardeve rrit dyshimet për sigurinë e këtyre shërbimeve dhe efektivitetin e mbikëqyrjes institucionale.

Në muajin dhjetor, me autorizim të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Drejtoria e Hetimeve të Krimeve Ekonomike e Policisë së Kosovës, në bashkëpunim me Inspektoratin Shëndetësor, kishin zhvilluar një aksion të gjerë për kontrollimin e bizneseve që ofrojnë shërbimin e injektimit të Botox-it, pasi që asnjë subjekt juridik në Kosovë nuk është i autorizuar për ofrimin e këtij shërbimi.

Në mesin e subjekteve private shëndetësore të kontrolluara kishte qenë edhe subjekti privat shëndetësor “Revita Beauty Clinic” me pronare Besa Berisha Humolli.

Besa Berisha Humolli – pronare e “Revita Beauty Clinic”

Gazeta ka siguruar një vendim të Inspektoratit Shëndetësor të datës 08.01.2026, me të cilin është gjobitur me 4 mijë euro kjo klinikë për shkelje të dispozitave të Ligjit për Shëndetësi.

Me procesverbalin e inspektorëve, të cilët ishin të shoqëruar edhe nga zyrtarët policorë të Krimeve Ekonomike, klinikës i ishte ndaluar ofrimi i shërbimeve shëndetësore të Botox-it dhe fillerëve.

Po ashtu, klinikës së Besa Berisha Humollit i ishte vendosur shenja e ndërprerjes së përkohshme të veprimtarisë.

Çka u konstatua gjatë inspektimit?

Në raportimin e inspektimit të siguruar nga Veriu.info, thuhet se në momentin e inspektimit “Revita Beauty Clinic” nuk posedonte licencë për ushtrimin e veprimtarive shëndetësore, madje as që kishte bërë një kërkesë të tillë.

Shkeljet e evidentuara në “Revita Beauty Clinic” nuk përfundojnë me kaq, pasi që inspektorët kanë konstatuar se themeluesja e kësaj klinike, Besa Berisha Humolli, nuk posedonte licencë si doktoreshë e stomatologjisë, pasi që një e tillë i kishte skaduar qysh në vitin e largët 2010.

Në “Revita Beauty Clinic” janë gjetur edhe një sasi e konsiderueshme e fillerëve dhe Botox-it, të cilat janë konfiskuar nga inspektorati farmaceutik.

Po ashtu, në “Revita Beauty Clinic” janë gjetur edhe formularë të plotësuar nga klientët për aplikim të Botox-it dhe fillerëve.

Revita e Besa, shtet në veti?

Gazeta më 5 mars ka marrë përgjigje nga Ministria e Shëndetësisë, e cila konfirmon se “Revita Beauty Clinic” ka paguar gjobën e shqiptuar, por e njëjta mbetet e palicencuar për ofrimin e shërbimeve shëndetësore.

Pra, edhe përkundër që me procesverbal i ishte ndaluar ofrimi i shërbimeve shëndetësore të fillerëve dhe Botox-it, kjo klinikë ka vazhduar me ofrimin e shërbimit të injektimit të fillerëve.

Madje, pa pasur frikë nga shteti, e njëjta këto shërbime i ka bërë edhe publike në faqen e vet në Facebook.

Ironik duket fakt që kjo klinikë kishte ofruar zbritje për 8 mars për këtë shërbim ilegal, ushtrimin e të cilit e ka të ndaluar nga shteti.