Botë Lajme

Refuzim i fortë nga Irani: kërkesat e SHBA-së nuk pranohen!

Irani ka hedhur poshtë kategorikisht pretendimet për negociata me Shtetet e Bashkuara, duke deklaruar se “SHBA-të po negociojnë me veten”. Reagimi vjen një ditë pasi Donald Trump u shpreh se Teherani synon një marrëveshje për t’i dhënë fund konfliktit në Lindjen e Mesme.

Një plan prej 15 pikash i hartuar nga Uashingtoni i është transmetuar Iranit përmes kanaleve diplomatike, por autoritetet në Teheran nuk e kanë konfirmuar pranimin e tij si bazë për negociata.

Zëdhënësi i Komandës Qendrore Khatam al-Anbiya, Ebrahim Zolfaghari, reagoi me tone të ashpra, duke ironizuar situatën dhe duke theksuar se “njerëz si ne nuk mund të merren vesh kurrë me njerëz si ju”. Ai shtoi se stabiliteti rajonal, sipas Iranit, garantohet nga forcat e armatosura dhe jo nga marrëveshjet diplomatike.

Në të njëjtën linjë, përfaqësues të tjerë ushtarakë iranianë paralajmëruan se nuk do të ketë kompromis me SHBA-në, duke theksuar se çdo rezultat i konfliktit do të përcaktohet në terren dhe jo në tryezën e negociatave.

Plani 15-pikësh, i raportuar nga The New York Times dhe media të tjera, përfshin kërkesa të gjera ndaj Iranit, si çmontimi i infrastrukturës bërthamore, ndalimi i pasurimit të uraniumit dhe kufizimi i programit raketor. Në këmbim, parashikohet lehtësim i sanksioneve dhe mbështetje për një program bërthamor civil.