Kosovë Lajme

“Nga Dardania në Pavarësi” tërheq vëmendje të madhe në Slloveni, arti shqiptar në fokus ndërkombëtar

Ekspozita kolektive “Nga Dardania në Pavarësi”, e kuruar nga Emine Jetishi, ka shënuar sukses të dukshëm gjatë prezantimit të saj në Slloveni, duke tërhequr interes të lartë nga publiku vendas dhe bashkatdhetarët.

Ky projekt artistik, që bashkon një grup artistësh profesionistë, është mirëpritur në Lubjanë dhe Koper si një platformë e rëndësishme për prezantimin e identitetit dhe trashëgimisë shqiptare përmes artit vizual.

Vëmendje të veçantë kanë marrë punimet grafike të artistëve nga Tetova, të cilët përmes teknikave dhe simbolikës kanë sjellë një interpretim të veçantë të historisë dhe kulturës shqiptare.

Astrit Rexhepi është vlerësuar për serinë “Rrënjët e Pavdekshme Ilire”, ku përmes teknikës së akuatintës paraqet elemente të qytetërimit ilir. Ndërkaq, Berat Beqiri me veprën “Gjeometria e Atdheut” ka sjellë një qasje abstrakte mbi konceptin e tokës dhe identitetit, ndërsa Ylber Dauti me “Dyert që mbajnë histori” ka trajtuar simbolikën e portës si element i kujtesës dhe traditës.

Organizatorët bëjnë të ditur se ekspozita do të kulmojë me një prezantim final në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Lubjanë.

Hapja për publikun është paralajmëruar për datën 3 prill 2026, në ora 18:00, ku pritet pjesëmarrja e artistëve dhe e të ftuarve të shumtë.

Në këtë ekspozitë marrin pjesë artistët: Astrit Rexhepi, Berat Beqiri, Don’jeta Krasniqi Kabashi, Emine Jetishi, Fatos Kabashi, Laureta Vogliqi, Ragip Salihu dhe Ylber Dauti.