Organi Shqyrtues i Prokurimit ka përjashtuar nga prokurimi publik biznesmenin Niman Babaj dhe kompaninë e tij “N&B Sh.p.k”, pas zbulimit të tentativës për mashtrim përmes dokumenteve të falsifikuara në një tender të ujësjellësit.
KRU “Prishtina” ka kërkuar nga Paneli Shqyrtues i OSHP-së diskualifikimin e operatorit ekonomik “N&B Sh.p.k”, me seli në Skenderaj, pas dyshimeve për ofrimin e dëshmive të rreme.
Sipas vendimit, kompania kishte dorëzuar dëshmi të rreme dhe të falsifikuara për inxhinierin e gjeodezisë, S. Qmega, duke paraqitur një kontratë fiktive me nënshkrim të falsifikuar. Inxhinieri në fjalë deklaroi para panelit se nuk kishte pasur asnjëherë bashkëpunim me këtë konzorcium dhe se firma e tij ishte keqpërdorur.

Si pasojë e kësaj, biznesmenit Niman Babaj dhe kompanisë së tij i ndalohet pjesëmarrja në të gjitha aktivitetet e prokurimit publik për një periudhë 3-mujore (nga 09.03.2026 deri më 08.06.2026).
OSHP vlerëson se me këto veprime është dëmtuar drejtpërdrejt buxheti i autoritetit kontraktues, duke e detyruar KRU “Prishtina” të kalojë te oferta e dytë me radhë për projektin e rehabilitimit të rrjetit të ujësjellësit në Skullan, Ribar i Vogël dhe Batllavë.
Biznesmenit Babaj, policia i gjeti edhe armë e municion pa leje
Biznesmeni drenicak edhe në janar të këtij viti ishte ndaluar nga Policia e Kosovës. Më 15 janar 2026, Babaj ishte shoqëruar në Stacionin Policor në Obiliq, pasi gjatë një kontrolli rutinë në fshatin Grabovc, policia i gjeti dy armë zjarri në veturën e tij të tipit Mercedes.
Gjatë kontrollit, në posedim të të dyshuarve u gjetën: një revole e tipit “SIG SAUER” me 8 fishekë dhe një revole e tipit “ZASTAVA”.
