Kosovë Lajme

3 vite botox dhe filler pa leje, gjobë minimale nga inspektorati!

Në Kosovë viteve të fundit janë rritur në mënyrë ekspansive shërbimet e Filler dhe Botox, por që shumica janë ofruar dhe po ofrohen në mënyrë të kundërligjshme, pasi që ofruesit e injektimit të tyre nuk janë të licencuar. Për dallim nga shërbimi filler për ofrimin e të cilëve janë të lëshuara disa licenca, ofrimi i shërbimit të Botox-it është krejtësisht i ndaluar në Kosovë, pasi që asnjë subjekt juridik nuk është i licencuar.

Në muajin dhjetor me autorizim të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Drejtoria e Hetimeve të Krimeve Ekonomike e Policisë së Kosovës në bashkëpunim me Inspektoratin Shëndetësor kishin zhvilluar një aksion të gjerë për kontrollimin e bizneseve që ofrojnë shërbimin e injektimit të botox-it, pasi që asnjë subjekt jurudik në Kosovë nuk është i autorizuar për ofrimin e këtij shërbimin.

Në mesin e subjekteve private shëndetësore të kontrolluara kishte qenë edhe “Qei Beauty Academy” Sh.P.K. me pronare Aida Obertinca Kosumi.

Foto: Aida Obertinca Kosumi – pronare e “QEI Beauty Academy”

Gazeta ka siguruar një raport inspektimi të Inspektoratit Shëndetësor të realizuar gjatë këtij aksioni, ku është konstatuar se “Qei Beauty Academy” për 3 vite me radhë ka ofruar pa licencë (ilegalisht) shërbimin e injektimit të botox-it dhe fillerëve.

Po ashtu, gjatë inspektimit është konstatuar se “Qei Beauty Academy” nuk ka licencë, ku me procesverbal i ishte ndaluar ofrimi i shërbimeve shëndetësore dhe i ishte vendosur shenja e ndërprerjes së përkohëshme të veprimtarisë.

Bazuar ne deklaratën e doktoreshës së lartpërmendur botoxin dhe fillerat në këtë subjekt ka filluar t’i aplikoj tek klientët afërsisht para 3 viteve, deklaratë e dhěnë edhe në prani të policisë. Në pyetjen nga Inspektorati Shëndetësor se ku i evidenton klientët tek të cilët aplikon botoxin dhe fillerët, ajo deklaron se nuk i evidenton askund”, thuhet ndër të tjera në raportin e Inspektoratit Shëndetësor.

Pas inspektimit me vendim të inspektores Hikmete Blakqori, “Qei Beauty Academy” është gjobitur me një shumë simbolike prej 1 mijë euro, të cilën nëse e paguan për 15 ditë lirohet nga 50% e shumës.

Foto: Hikmete Blakqori – Inspektore Shëndetësore

Pra, përkundër që  “Qei Beauty Academy” e Aida Obertinca Kosumi ka injektuar botox e filler për 3 vite ilegalisht, ka marrë gjobë vetëm 1 mijë euro.

Favorizimi që inspektorja Hikmete Blakqori i ka krijuar me rastin e gjobitja  “Qei Beauty Academy” vërehet qartazi nëse kjo shumë krahasohet me gjobën që i është shqiptuar kliniës “Miliona”, e cila është gjobitur me 3 mijë euro për mungesë licence dhe ofrim të shërbimit të fillerëve.

Ndërsa, “Qei Beauty Academy” nuk ka pasur licencë, përveç fillerëve, për 3 vite ka injektuar edhe botox dhe e njëjta është gjobitur me vetëm 1 mijë euro.

Në lidhje me mbylljen dhe gjobitjen e “Qei Beauty Academy”, Veriu.info ka marrë përgjigje nga Ministria e Shëndetësisë, e cila ka konfirmuar se gjoba është paguar, ndërsa ky biznes nuk është licencuar akoma.

Përkundër që me procesverbal i është vendosur shenja e ndalimit të ushtrimit të veprimtarisë dhe që pas gjobës nuk ishte licencuar, të paktën deri më 5 mars kur Veriu.info ka marrë përgjigje nga Ministria e Shëndetësisë, “Qei Beauty Academy” ka vazhduar njoftimet për caktim të termineve dhe ofertat për klientë.