Kosovë Lajme

Lirimi i çmimeve të derivateve: sa mund të ulet realisht benzina dhe nafta!

Çmimi i derivateve ka fluturuar. E shteti po ‘këqyr seri’. Nuk ka asnjë masë e asnjë veprim që është ndërmarrë për t’iu dale në ndihmë qytetarëve e bizneseve.

Kjo ka bërë që të nis shtrenjtimi i transportit, por në anën tjetër të paralajmërohet edhe shtrentjtimi i produkteve të tjera.

Kërkesa kryesore që është bërë në drejtim të qeverisë ka qenë heqja e akcizës dhe TVSH-së.

Njohësi i çështjeve të ekonomisë, Edison Jakurti, ka publikuar një analizë në rrjete sociale, ku ka shpjeguar se si do të ndikonte heqja e TVSH-së dhe/ose akcizës.

“Në bazë të të dhënave nga Dogana e Kosovës dhe deklarimeve publike të ATK-së, del se në vitin 2025 rreth 17% e të hyrave nga këto dy institucione (që janë burimet kryesore të buxhetit publik) kanë ardhur nga derivatet e naftës, rreth 12% nga akciza dhe 5% nga TVSH-ja. Kjo është një shumë e konsiderueshme dhe çdo ndryshim në politikat fiskale që prek këto të hyra duhet të mendohet mirë”, ka shkruar fillimisht Jakurti.

Sipas tij, nëse hiqet TVSH-ja çmimi i naftës do të binte në 1.44 euro litër, kurse heqja e akcizës në 1.28 euro për litër.

“Një simulim i thjeshtë mbi çmimin aktual prej rreth 1.70 euro për litër naftë tregon një trade-off të qartë midis heqjes së akcizës dhe TVSH-së. Heqja e TVSH-së (18%) do ta ulte çmimin në rreth 1.44 euro për litër (ulje prej rreth 15% apo 26 cent), ndërsa heqja e akcizës (0.36 euro për litër) në rreth 1.28 euro për litër (ulje prej rreth 25% apo 42 cent). Megjithatë, heqja e akcizës kushton më shumë se dyfish për buxhetin, por ul çmimin vetëm rreth 1.6 herë më shumë se TVSH-ja”, ka shkruar Jakurti.

Sipas tij, nuk është opsion i mirë heqja e të dyjave, por qeveria do të duhej ta shqyrtonte heqjen e TVSH-së.

“Kjo nënkupton se qeveria nuk duhet t’i heqë të dyja njëkohësisht, por të zgjedhë njërën prej tyre. Duke marrë parasysh njëkohësisht ndikimin fiskal (uljen e të hyrave) dhe efektin në çmim, heqja e TVSH-së duket më optimale sepse ofron një ulje të konsiderueshme të çmimit me kosto dukshëm më të ulët për buxhetin. Në mënyrë që kjo ulje të reflektohet plotësisht tek konsumatori, heqja e TVSH-së duhet të shoqërohet me vendosjen e një çmimi tavan”, ka thënë Jakurti.

“Megjithatë, ndikimi buxhetor i kësaj politike mund të jetë më i vogël se sa sugjerojnë këto llogaritje statike. Sipas teorisë ekonomike, ulja e çmimit rrit sasinë e kërkesës. Nëse çmimi bie dhe konsumi rritet, importet mund të shtohen dhe një pjesë e humbjes buxhetore mund të kompensohet. Për shembull, ulja e çmimit si pasojë e heqjes së TVSH-së mund të rrisë konsumin dhe, përmes volumit më të lartë, të gjenerojë më shumë të hyra nga akciza, duke e ulur edhe më tej koston neto buxhetore të kësaj politike. Pra, është e arsyeshme të brengosemi për ndikimin buxhetor, por jo deri në atë masë sa të mos ndërmerret asnjë hap”, tha ai.

Por, ministrja e Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se asnjëra prej këtyre nuk është opsion.

“TVSH shpesh përmendet si zgjidhje e shpejtë për uljen e çmimeve të naftës, por realiteti është më kompleks. Edhe nëse hiqet apo ulet TVSH-ja, nuk ka garanci që kjo do të reflektohet te çmimet finale për qytetarët. Ekziston rreziku real që operatorët ekonomikë të mbajnë të njëjtat çmime, duke mos e reflektuar uljen në çmimin final. Në anën tjetër, mekanizmat mbrojtës të shtetit për efektet te produktet e tjera janë të kufizuara, për shkak të pezullimit të Ligjit për çmimet tavan, pasi i njëjti është dërguar në Gjykatën Kushtetuese” ka thënë ajo.

Kusari-Lila tutje ka thënë se sot vërehet një rënie e çmimit të derivateve të importuara.

Sipas saj, rënia e çmimit për litër, krahasuar me ditën e djeshme, është 0.03 €/l.

“Prandaj, diskutimi për çmimet nuk duhet të fokusohet vetëm te TVSH-ja, por në një qasje më të gjerë që siguron transparencë, konkurrencë të ndershme dhe mbrojtje reale për konsumatorin. Ndërkohë, sot vërehet një rënie e çmimit të derivateve të importuara. Rënia e çmimit për litër, krahasuar me ditën e djeshme, është 0.03 €/l. Inspektorati Qendror dhe Administrata Tatimore, në bashkërendim me Doganat e Kosovës, do të vazhdojnë monitorimin strikt të tregut të brendshëm” ka thënë ajo.