Në shtatë ditë, Kosova u trondit nga tri raste të vrasjes, ku pesë persona humbën jetën si pasojë e të shtënave me armë zjarri.
Rasi i parë ndodhi mëngjesin e 16 marsit në Gjakovë.
38-vjeçari, Rasim Binakaj, xhaxhai i ish-finalistes së BBVK 4, Elijonës, dyshohet se u vra nga ish-miku i tij, Nexhdet Zymberaj.
Autoritetet e sigurisë u aktivizuan menjëherë për kapjen e dorasit, i cili dyshohet se plagosi edhe një 29-vjeçar, megjithatë, Zymberaj u vetëdorëzua tek pasditen e së hënës.
Kurse, vrasja e dytë në Kosovë ndodhi pas pak ditësh.
Në Bokshiq të Klinës, dyshohet se vëllai vrau vëllanë, dhe motivi raportohet të kenë qenë konflikte pronësore.
I vdekur mbeti Faruk Jusufi, ndërsa tashmë Gjykata ia ka caktuar 30 ditë paraburgim të vëllait të të ndjerit, Jetmir Jusufit.
Lidhur me rastin, dyshohet se gjithçka mes tyre nisi sot në oborrin e shtëpisë, ku mes vëllezërve kishte pasur fjalosje, teksa viktima ka qenë duke punuar.
Gjatë fjalosjes, viktima thuhet se është munduar ta shmangë vëllanë me mjetin që ka qenë duke punuar.
Më pas, i dyshuari ka hyrë brenda shtëpisë, ka marrë armën dhe ka shtënë disa herë.
Ndërsa të dielën, një ditë pas tragjedisë në Klinë, një tjetër rast makabër u regjistrua në fshatin Majac të Podujevës.
Tre persona mbetën të vdekur si pasojë e të shtënave me armë, në mesin e tyre edhe e dyshuara kryesore.
Ardita Gashi, 31-vjeçare, dyshohet se si pasojë e një mosmarrëveshjeje privoi nga jeta të dashurin e saj, 45-vjeçarin Ilaz Brahimi.
Sipas versionit të familjarëve, ajo privoi nga jeta edhe gruan e axhës së saj, Miradije Gashin, 73-vjeçare, mirëpo motivi i kësaj vrasjeje ende nuk është zbardhur.
Ndërkaq QKUK ka njoftuar se e dyshuara ka ndërruar jetë pas plagëve të vetshkaktuara nga arma e zjarrit.
LEXO EDHE KETO
