Një ngjarje e rëndë që ka tronditur mbarë opinionin publik ka ndodhur mbrëmë në fshatin Majac të Podujevës, ku si pasojë e të shtënave me armë zjarri tashmë kanë humbur jetën tre persona. Ajo që nisi si një vrasje në veturë, përfundoi me një ekzekutim tjetër brenda shtëpisë dhe vetëvrasjen e të dyshuarës.
Për Insajderin ka folur personi i parë që ka mbërritur në vendin e ngjarjes, i cili ka parë trupin e pajetë të viktimës dhe ka njoftuar menjëherë Policinë e Kosovës.
Ai ka rrëfyer detaje rrëqethëse nga momenti i parë i zbulimit të krimit dhe lëvizjet e të dyshuarës, Ardita Gashi.
Sipas tij, pas vrasjes së parë, e dyshuara nuk është larguar nga vendi i ngjarjes, por është drejtuar drejt shtëpisë së familjarëve të saj.
“E dyshuara ka dalë nga vetura dhe ka shkuar te shtëpia e axhës. E ka kërkuar gruan e axhës dhe ka hyrë në dhomë me të për të biseduar, e pastaj e ka vrarë. Pas vrasjes së gruas, e dyshuara ka qëndruar në dhomë deri në momentin kur policia ka ndërhyrë, pastaj ajo ka tentuar të vrasë veten”, tregon ky dëshmitar.
Ndonëse u dërguan me urgjencë në QKUK, plagët ishin të papërballueshme.
Sot gjatë ditës është konfirmuar vdekja e gruas së axhës rreth orës 03:00 të mëngjesit, ndërsa pak më parë ka ndërruar jetë edhe vetë e dyshuara për vrasjen e dyfishtë, Ardita Gashi.
Policia dhe Prokuroria po vazhdojnë hetimet për të zbardhur motivet që çuan në këtë krim të trefishtë.
Kosova Free Voice Agency do t’ju mbajë të informuar lidhur me detajet e reja nga ky rast.
