Në Kosovë janë parashkruar mbi 12 mijë raste penale gjatë pesë viteve të fundit, duke bërë që mijëra persona të shmangin ndëshkimin për shkak të kalimit të afateve ligjore.
Sipas të dhënave të publikuara në raportet vjetore të Këshilli Prokurorial i Kosovës, nga viti 2020 deri në vitin 2024 janë regjistruar gjithsej 12 mijë e 215 raste të parashkrimit.
Vetëm gjatë vitit 2024 janë parashkruar 2 mijë e 375 raste, shumica prej tyre nga Departamenti i Përgjithshëm, ndërsa një pjesë e vogël lidhet me krime të rënda dhe faza hetimore, raporton Klan Kosova.
Edhe vitet paraprake kanë shënuar numër të lartë të lëndëve të vjetruara: 3 mijë e 80 raste në 2022, rreth 2 mijë e 350 në 2021 dhe 2 mijë e 360 në 2020, ndërsa raportet nuk japin të dhëna për dëmin financiar të shkaktuar nga këto parashkrime.
