Kosovë

Alarm për sigurinë në shkolla – Salihaj: 70% e nxënësve përjetojnë forma dhune

Çështja e sigurisë në shkollat e Prishtinës, ku sipas raportimeve rreth 50 për qind e tyre përballen me probleme, po konsiderohet shqetësuese edhe nga njohësit e arsimit.

Njohësi i fushës së arsimit, Jonuz Salihaj, në një prononcim, thotë se gjendja reale është edhe më e rëndë në nivel vendi.

Duke u ndërlidhur me raportimin e fundit se një numër i madh i shkollave në kryeqytet kanë mangësi në këtë aspekt, Salihaj thekson se situata është edhe më shqetësuese në nivel vendi.

“Në të vërtetë, në nivel Kosove anketimet tregojnë se 70% e fëmijëve kanë probleme me siguri. Pra, 70% e fëmijëve kanë përjetuar një formë të dhunës, dhunë fizike, shantazh, dhunë emocionale, psikologjike apo kibernetike. Për fat të keq nuk kemi statistika të sakta sepse fëmijët shpesh hezitojnë të paraqesin dhunën, por nëse kemi parasysh të dhënat e Policisë së Kosovës për vitin 2022 kemi të bëjmë me 539 raste të formave të ndryshme të ngacmimeve në shkollat e Kosovës, duke filluar nga bullizmi deri në dhunë fizike si therje me thikë që shpesh kanë përfunduar me humbje jete”, deklaroi ai.

Sipas tij, rreziqet me të cilat përballen nxënësit janë të shumta dhe në rritje.

“Dominon bullizmi dhe shantazhi, por kemi edhe forma të tjera të dhunës, nxënës-nxënës, mësimdhënës-nxënës, ngacmime seksuale nga mësimdhënësit dhe ajo që është më e tmerrshmja shumë raste të pedofilisë, që është dukuri në rritje”, u shpreh Salihaj.

Ai thekson se mungesa e sigurisë ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e arsimit dhe mirëqenien e nxënësve.

“Nëse një nxënës shantazhohet çdo ditë me i sjellë para ‘bosit’ të klasës, përndryshe e pret dajaku apo thika, atëherë për çfarë cilësie të arsimit flitet kur fëmija është në ankth si me shpëtu nga dhunuesi. Për pasojë fëmijët mungojnë nga mësimi, nuk janë të përqendruar, e urrejnë shkollën dhe shfrytëzojnë çdo mundësi me ikë nga mësimi. Kështu në nivel vendi në shkollat e mesme të larta për vitin shkollor 2024/2025 janë shënuar një numër rekord i mungesave, 42 mungesa për kokë nxënësi. Kur dihet se me 32 mungesa të paarsyeshme sipas rregullores nxënësi përjashtohet nga shkolla, i bie se të gjithë nxënësit e këtij niveli të arsimit të mesëm të lartë konsiderohen të përjashtuar”, tha Salihaj për Telegrafin.

Sa i përket masave institucionale, Salihaj vlerëson se ekzistojnë dokumente dhe strategji, por ato nuk zbatohen në praktikë. Ai shton se thelbi i problemit është psikologjik dhe pedagogjik.

“Shkollat kanë plane zhvillimore, rregullore dhe strategji, por shumica mbeten dokumente në letër që nuk zbatohen në praktikë. Përpjekja e zyrtarëve të Komunës së Prishtinës për ofrimin e sigurisë në shkolla duhet të përshëndetet, por kjo po kundrohet vetëm nga një kënd, si çështje teknike. Vendosja e kamerave në ambientet shkollore, përmirësimet në infrastrukturë etj., e përmirësojnë dukshëm transparencën në identifikimin e dhunuesve, por nuk e zgjidhin problemin. Thelbi i problemit është psikologjik dhe pedagogjik. Ekzistojnë modele të provuara që garantojnë zvogëlim të dhunës në përmasa të mëdha, p.sh. modeli finlandez, i cili nëse aplikohet me përpikëri zvogëlon 30% të bullizmit brenda një viti”, deklaroi ai.

Në fund, ai ka renditur masat që duhet të ndërmerren urgjentisht nga institucionet.

“Përveç çështjeve teknike që kanë të bëjnë me infrastrukturën, duhet menjëherë në çdo shkollë të punësohen psikologë dhe pedagogë. Në çdo shkollë duhet të formohen komisionet anti-dhunë të përbëra nga 3 anëtarë, një mësimdhënës, drejtori apo zëvendësdrejtori dhe psikologu apo pedagogu. Këto ekipe trajnohen me një program të caktuar, në qendër të të cilit është eupatia”, u shpreh Salihaj.

Njohësi i fushës së arsimit tutje shtoi se në çdo klasë duhet të formohen nga një komision po ashtu prej 3 nxënësve të cilët bashkëpunojnë me komisionin në nivel shkolle që identifikojnë problemet dhe i zgjidhin së bashku duke i inkorporuar edhe prindërit.

“Krejt ky projekt realizohet në orët e kujdestarisë apo edukatës qytetare pa pasur nevojë të ndryshohet asgjë në kurrikulën shkollore. Pra vetëm kombinimi dhe përmbushja e kritereve teknike, pedagogjike dhe psikologjike e zvogëlon dukshëm dhunën në shkolla me impakt direkt në sigurinë e institucioneve shkollore në të gjitha nivelet”, përfundoi Salihaj.

Ndryshe, sipas raportimit të fundit nga Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca në Prishtinë, rreth 50 për qind e shkollave në kryeqytet përballen me probleme të sigurisë, duke ngritur shqetësime serioze për sigurinë e nxënësve dhe stafit arsimor.