Kronikë Policore Lajme

Kapet shqiptari në Peru, konsiderohet koka e rrjetit të kokainës drejt Evropës

Autoritetet peruane kanë arrestuar shtetasin shqiptar Maglent Dybeli në kuadër të një operacioni kundër trafikut të drogës.

Ai dyshohet si financues dhe drejtues i një bande kriminale që merrej me grumbullimin dhe eksportin e kokainës drejt Evropës. Sipas hetimeve, Dybeli përdorte identitet të rremë me shtetësi italiane për të fshehur aktivitetin e tij, shkruan “OraNews”.

Gjatë operacionit në Callao, policia arrestoi edhe disa bashkëpunëtorë dhe sekuestroi 98 pako me kokainë. Hetimet zbuluan një rrjet të organizuar që përfshinte transportin e drogës nga zona të ndryshme, si dhe koordinimin me grupe në Kolumbi për të siguruar eksportin nga portet kryesore.

Sipas raporteve ndërkombëtare, rrjetet kriminale shqiptare dhe ballkanike janë aktive në Amerikën Latine që nga fundi i viteve ’90, duke bashkëpunuar me prodhues dhe kartele lokale. Këto grupe luajnë një rol të rëndësishëm në furnizimin e tregut evropian me kokainë, ndërsa hetimet për këtë rast vijojnë.