Sirenat antiajrore janë aktivizuar në ishullin Diego Garcia, por efekti i tyre ndihet në të gjithë botën perëndimore.
Duke goditur bazën e rëndësishme anglo-amerikane në Oqeanin Indian – edhe pse sulmi dështoi – Teherani tregoi se mund të kërcënojë objektiva deri në 4,000 kilometra larg territorit të tij. Një rreze veprimi që prek pjesën më të madhe të Europës, përfshirë edhe Italinë, siç thekson kreu i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave Izraelite të Mbrojtjes, Eyal Zamir.
Sulmi dërgon mesazhin se kontinenti i vjetër nuk është imun ndaj luftës, nëse vendet e tij mbështesin ofensivën.
Sipas Agjencisë Atomike Iraniane, Natanz është “goditur” nga “sulme kriminale të ndërmarra nga SHBA dhe Izraeli”, por nuk janë raportuar humbje radioaktive.
Si kundërpërgjigje, Irani ka goditur me raketë qytetin Dimona, në shkretëtirën e Negevit që strehon një impiant bërthamor, duke shkaktuar mbi 47 të plagosur, përfshirë një fëmijë 10-vjeçar.
Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA) njoftoi se “nuk është regjistruar asnjë rritje e niveleve të rrezatimit jashtë impiantit” ndërsa ripërsëriti thirrjen për moderim. Një thirrje që duket e huaj në një tokë ku prej gati një muaji po zhvillohet një konflikt që nuk po tregon shenja ngadalësimi. Pavarësisht deklaratave të presidentit të SHBA-së, Donald Trump, i cili është shprehur i gatshëm të shqyrtojë “një reduktim të operacionit” kundër Republikës Islamike, ndërkohë që po dërgon mijëra trupa në Lindjen e Mesme.
Teherani i është përgjigjur përshkallëzimit duke lëshuar dy raketa balistike me rreze të mesme drejt bazës së Diego Garcia, një nyje e rëndësishme strategjike për forcat amerikane, pasi strehon bombardues, nëndetëse bërthamore dhe shkatërrues me raketa.
Sipas The Wall Street Journal, njëra prej raketave ka pësuar defekt gjatë fluturimit, ndërsa për tjetrën një anije luftarake amerikane ka lëshuar një interceptor SM-3 për ta neutralizuar.
Fakti që Irani mori në shënjestër ishullin tregon se raketat e tij kanë një rreze më të madhe se sa është vlerësuar nga vendet perëndimore dhe sa kanë deklaruar vetë iranianët.
Dhe nëse vetëm muajin e kaluar ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi kishte shprehur vullnetin e Teheranit për të kufizuar qëllimisht rrezen e raketave në 2,000 km – duke shmangur kështu mundësinë për të goditur Europën – duket se ky qëndrim tashmë ka rënë.
Ky zhvillim i drejtohet veçanërisht Mbretërisë së Bashkuar pas vendimit për të vënë në dispozicion bazat për sulmet amerikane ndaj objektivave iraniane që kërcënojnë Ngushticën e Hormuzit.
“Shumica dërrmuese e popullit britanik nuk dëshiron të ketë asnjë lidhje me luftën” dhe “duke injoruar popullin e tij, Starmer po vë në rrezik jetët britanike,” u shpreh ministri iranian, Araghchi, duke siguruar se Teherani “do të ushtrojë të drejtën e tij për vetëmbrojtje.”
Ngushtica e Hormuzit
Ndërkohë vijojnë tensionet e larta në Ngushticën e Hormuzit. Përballë kërcënimeve iraniane, Shtetet e Bashkuara kanë deklaruar se aftësia e Teheranit për të kërcënuar këtë korridor detar – kyç për tregtinë dhe furnizimet energjetike – është “dobësuar” pas bombardimeve të kryera këtë javë ndaj një strukture nëntokësore ku ruheshin raketa lundruese dhe armë të tjera.
“Jo vetëm që kemi shkatërruar strukturën, por edhe objektet mbështetëse të inteligjencës dhe radarët që përdoreshin për të monitoruar lëvizjet e anijeve,” deklaroi komandanti i Komandës Qendrore, Brad Cooper. Ndërsa vendet e G7 i bënë sot sërish thirrje Teheranit të ndalojë sulmet në Gjirin Persik dhe kërkuan uljen e tensioneve.
Megjithatë, rreziku për bllokimin e ngushticës mbetet, ndërsa konflikti vazhdon dhe hyn në javën e katërt.
Kjo situatë përkon me festimet në Iran të përfundimit të muajit të Ramazanit dhe festës së Novruzit. Këto zhvillime po ndodhin pa praninë e Udhëheqësit Suprem, Mojtaba Khamenei, i cili mungoi në ceremoninë tradicionale të faljes së Fiter Bajramit.
Sipas shërbimeve të inteligjencës së SHBA-së dhe Izraelit, ai besohet të jetë gjallë, por mbeten pikëpyetje nëse është ende ai që jep urdhrat në vend.
Ndërkohë, në vend të tij, kreu i drejtësisë, Gholam Hossein Mohseni Ejei, mori pjesë në faljet në Xhaminë e Madhe Imam Khomeini në qendër të Teheranit, e cila ishte e mbushur me besimtarë dhe me turma që kishin pushtuar rrugët përreth.
