Festa e Fiter Bajramit shënon një nga momentet më të rëndësishme për besimtarët myslimanë, duke përmbyllur muajin e shenjtë të Ramazanit.
Në Kosovë, qytetarët e kremtojnë këtë festë me vizita familjare, ndarje gëzimi dhe respektim të traditave të trashëguara ndër breza.
Qytetarët kanë ndarë mendimet e tyre për rëndësinë e kësaj feste, duke theksuar vlerat që ajo bart për shoqërinë dhe familjen.
Fat Islami u shpreh se kjo festë ka një domethënie të veçantë për gjithë botën islame dhe se ajo duhet të shërbejë si një urë lidhëse mes njerëzve.
“Në këtë festë të madhe të botës islame përzemërsisht anë e mbanë globit ju uroj këtë festë me urimin që të mbretëroj harmonia. Të ketë një urë lidhëse përmes kombeve të mbretëroj dialogu.. traditat janë ato që kanë qenë përpara është traditë të shkojmë e të bëjmë Bajram me të afërmit, ata të vinë te ne. Ti prijnë edhe gjërat ushqimore tradicionale. Tash kohës së fundit është edhe vizitë te varrezat e të ndjerëve një ngushëllim për këtë ditë”, tha Islami.
Edhe Ahmet Ajeti theksoi rëndësinë e festimit në rrethin familjar dhe të afërmve.
Ndërkaq, Tefik Halili uroi të gjithë besimtarët dhe theksoi vazhdimësinë e traditave.
Ndërsa, Halil Xhemajli përcolli urimet e tij për shëndet dhe mirëqenie për të gjithë.Fiter Bajrami mbetet një festë që bashkon njerëzit, forcon lidhjet familjare dhe rikujton rëndësinë e paqes, mirëkuptimit dhe solidaritetit në shoqëri.
