Besimtarët myslimanë në mbarë botën sot festojnë Fitër Bajramin, që shënon përfundimin e Ramazanit. Dita nisi me faljen e namazit të Bajramit nëpër xhami, teksa më pas Bashkësia Islame e Kosovës organizoi edhe pritje, prej ku u dhënë disa mesazhe nga krerët e shtetit. Kryesoret mbesin paqja, falja dhe ndihma ndaj atyre në nevojë, por që janë përmendur edhe sfidat me të cilat po përballet vendi, deri tek çmimet e naftës.
Në mesazhin e Bajramit, Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim Tërnava u është drejtuar me thirrje politikanëve që të gjejnë zgjidhje përmes dialogut dhe të mos ngec vendi.
“Prandaj, është e papranueshme që sot, në kohë paqeje dhe në kushtet e një sistemi demokratik, njerëzit të vuajnë për shkak të mungesës së vullnetit politik për kompromis. Dialog, përgjegjësi dhe të pasuarit e lëndimit të shoqërisë tonë me vetëdije nga e skajshmja politike. Në momente të tilla kërkohet maturi, vetëdije dhe tolerance. Kërkohet që përmes dialogut dhe mbi të gjitha sakrificës për të vendosur interesin e vendit dhe të kombit mbi çdo interes tjetër”, ka thënë Tërnava.
Sipas tij shoqëria jonë ka nevojë për më shumë maturi në politikë.
“Historia do të gjykojë jo vetëm për vendimet që janë marrë, por edhe për momentet kur përgjegjësia është marrë”, ka deklaruar Tërnava.
Për nder të kësaj feste, ai ka organizuar pritje.
Presidentja Vjosa Osmani tha nga BIK se shpreson që kjo festë t’i bëjë të gjithë bashkë dhe ta rrisë solidaritetin.
“Ju uroj të gjithë qytetarëve të Republikës sonë me fat festën e Fitër Bajramit, duke uruar më të mirat për ta, duke shpresuar që Zoti i madhërishëm t’i ketë pranuar lutjet dhe agjërimin e gjithsecilit dhe duke shpresuar që kjo ditë, si gjithnjë përgjatë historisë sonë, të na bëjë të gjithëve bashkë, t’i hapë zemrat, t’i hapë dyert e secilit, ta rrisë solidaritetin dhe t’i rrisë vlerat njerëzore të cilat gjithmonë na kanë bërë bashkë si popull, përfshirë në kohët më të rënda, kur pikërisht ky bashkim, pikërisht hapja e zemrave dhe dyerve, na ka ndihmuar që t’i tejkalojmë kohë shumë të rënda për shtetin dhe për kombin tonë”, tha Osmani.
Ajo pati falenderim për Tërnavën dhe gjithë ata që ndihmojnë familjet në Kosovë.
“Dua t’i falënderoj miqtë, aleatët tanë, të cilët shpesh edhe nëpërmjet shtetit, edhe nëpërmjet Bashkësisë Islame ndihmojnë familjet në Kosovë. Dua t’i falënderoj qytetarët tanë zemërgjerë, përfshirë ata nga mërgata jonë, të cilët asnjëherë nuk e mbyllën zemrën, por gjithmonë e hapën atë duke ndihmuar çdo familje që ka nevojë edhe sot të festojë, por ta ndiejë dorën e solidaritetit edhe përtej festës së Bajramit”, shtoi presidentja Osmani.
Për vizitë tek Tërnava shkoi më pas edhe Kryeministri Albin Kurti.
Gjatë bisedës me Tërnavën, ai foli mbi sfidat aktuale me të cilat po përballet vendit.
Kurti tha se gjatë kësaj pranvere vendi përballet me dy sfida, stërvitjet ushtarake të Serbisë në kufi me Kosovën dhe ngritjen e çmimit të naftës.
“Provokimet rreth kufirit po shtohen. Përshtypja jonë është që vjen nga dy dështime. I pari është që nuk kanë një strukturë të brendshme. E dyta është se e kanë kuptuar se nuk mund ta mbajnë peng krejt rajonin për integrime në Bashkimin Evropian. Pra Brukseli si kryeqytet i dyfishtë, i Bashkimit Evropian dhe NATO-s, po thotë kush dëshiron të vijë do t’i krijohen shanset, por duhet t’i bëhen detyrat e shtëpisë. Kush nuk dëshiron të vijë nuk mund t’i pengojë të tjerët dhe kjo i ka acaruar shumë serbët sepse ata e kanë pas privilegjin që pa neve nuk mund të shkonin askund. Kjo është një dëshpërim i dyfishtë. Por siç e thatë edhe ju jo vetëm Shqipëria, por edhe Kosova është e rrethuar me shqiptarë, po mundohen me i frikësu shqiptarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit…”.
Kurti u ndal edhe te ngritja e çmimit të naftës.
“Sfida e dytë është që luftërat që nisën nuk përfunduan, por nisën ato të rejat dhe këto tash po e bëjnë çrregullimin e zinxhirit të furnizimit. Kemi folur me ministrin e Financave dhe ministren e Tregtisë që të përgatiten sa më mirë, sepse çmimet e naftës dhe produkteve tjera po rriten… E këto janë dy sfida më të mëdha, të tjerat janë jo të parëndësishme, por më të vogla”, u shpreh Kurti.
Kujtoi edhe hoxhallarët e rënë gjatë luftës.
“Sot kujtojmë edhe 37 hoxhallarë, imam, shehit që ranë heronj në luftën çlirimtare”, shtoi shefi i ekzekutivit.
Vizitë në BIK ka realizuar edhe Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu.
Ajo e vlerësoi vizitën në Bashkësinë Islame si shprehje të respektit institucional dhe mirënjohjes për rolin e saj në promovimin e paqes, mirëkuptimit dhe bashkëjetesës ndërfetare në Kosovë.
Haxhiu gjithashtu theksoi se për shumë familje kjo festë shoqërohet me mall për të dashurit që mungojnë, por njëkohësisht sjell edhe forcën për të qëndruar më afër njëri-tjetrit.
“Afërsia, bashkimi dhe solidariteti që na shoqëruan gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit, le të na shërbejnë si udhërrëfyes përpara”, ka shkruar ajo.
Në fund, kryeparlamentarja uroi që agjërimi dhe lutjet e besimtarëve të jenë pranuar, duke dëshiruar shëndet, paqe dhe begati për çdo familje.
Tërnava ka pritur edhe liderët e partive politike në Kosovë.
