Katër persona, në mesin e tyre tre kosovarë Pajtim Bajrami, Istref Zekaj dhe Asllan Musliu, humbën jetën në vendin e punës tragjikisht në Vjenë të Austrisë.
Ngjarja u zhvillua në një kantier ndërtimi, ku gjatë vendosjes së betonit, skelet u shembën dhe i zuri ata poshtë.
Autoritetet austriake kanë nisur një hetim intensiv për të zbuluar shkaqet e këtij rasti të rëndë, duke kërkuar edhe përgjegjësit e mundshëm të kësaj tragjedie.
Dëshmitar kryesor në këtë rast, pritet të jetë operatori i vinçit, i cili thuhet se pa gjithçka në momentin kur ndodhi rast.
Edhe pse i tronditur, i njëjti i ndihmoi ekipet emergjente dhe zjarrfikësit t’i largojnë peshat e rënda që kishin bllokuar rrugën, duke ua lehtësuar atyre nxjerrjen e trupave të viktimave, shkruajnë mediat austriake.
Nga gazeta Krone.at, u intervistua edhe një dëshmitar i cili e kishte parë momentin kur kishte ndodhur momenti i rëndë.
“Fillimisht ata ishin ulur në skela dhe pastaj gjithçka u shemb”, deklaroi ai.
Mbetet të shihet, nëse operatori i vinçit e goditi strukturën me kovën e betonit apo rrethana të tjera shkaktuan aksidentin, do të përcaktohen nga hetimet derisa operatori i vinçit pritet të jetë një nga burimet më të rëndësishme të informacionit.
Kurse, kompania përgjegjëse e ndërtimit siç raportohet nga mediat austriake po tenton të fshihet nga përgjegjësia, duke përdorur një strategji të saj.
Vetëm pak minuta pas ngjarjes, faqja e internetit e kompanisë hoqi të gjitha lidhjet me kantierin në Porzellangasse.
Një postim i vetëm ishte kapur nga gazeta “Krone” para se të hiqej: mbishkrimi i tij në Instagram ishte “Mund të ngremë kantiere ndërtimi!”, shoqëruar me një foto të kantierit. Kur u kontaktua nga gazeta, kompania shprehu “pikëllim të thellë” për “incidentin tragjik”.
Ndërkohë, sipas inspektoratit të punës, shembjet janë shkaku i dytë më i shpeshtë i aksidenteve në vendin e punës në industrinë e ndërtimit.
Një në dhjetë aksidente në vendin e punës ndodhin pikërisht në këtë sektor, duke e bërë industrinë e ndërtimit më të rrezikuar për punonjësit. Sipas Bordit Austriak të Kompensimit të Punëtorëve (AUVA), në vitin 2024 në Vjenë pati 2478 aksidente në vendin e punës, krahasuar me 2665 në vitin 2023.
Inspektoratet e punës fokusohen kryesisht në mbrojtjen nga rënia dhe kontrollin e ngritjes së skelave. Vitin e kaluar, në Vjenë u inspektuan 2769 kompani ndërtimi. Kontrollet gjithashtu përfshijnë verifikimin e vinçave dhe ngritësve të ndërtimit, dhe çdo mangësi raportohet te kompanitë përkatëse
