Departamenti Amerikan i Mbrojtjes raportohet se po kërkon një buxhet masiv prej 200 miliardë dollarësh në formën e fondeve shtesë, të destinuara për të financuar operacionet ushtarake në Iran. Lajmi bëhet i ditur nga agjencia “Associated Press”, e cila i referohet një zyrtari të lartë të administratës amerikane.
Sipas burimit, i cili pranoi të fliste vetëm në kushte anonimiteti për shkak të ndjeshmërisë së informacionit dhe natyrës private të diskutimeve, kërkesa zyrtare e Pentagonit i është përcjellë tashmë Shtëpisë së Bardhë.
Bëhet fjalë për një shifër jashtëzakonisht të lartë, e cila vjen si një barrë e re financiare mbi buxhetin e shtetit. Kjo kërkesë paraqitet në një kohë kur Departamenti i Mbrojtjes ka përfituar tashmë një rritje të konsiderueshme të financimit gjatë vitit të kaluar, lëvizje e cila u përfshi në projektligjin e gjerë të uljes së taksave të iniciuar nga administrata Trump.
Ndërkohë, sytë janë kthyer nga Capitol Hill. Kongresi Amerikan po përgatitet për shqyrtimin e një kërkese të re për shpenzime qeveritare, por dinamikat mbeten ende të paqarta. Deri në këto momente, nuk ka një konfirmim zyrtar nëse Shtëpia e Bardhë e ka kaluar këtë kërkesë specifike të Pentagonit për shqyrtim parlamentar.
Edhe nëse kërkesa mbërrin zyrtarisht në tryezat e ligjvënësve, fati i saj mbetet i pasigurt. Për shkak të vlerës stratosferike dhe ndjeshmërisë politike që mbart çështja e Iranit, nuk është e qartë nëse ky propozim për shpenzime shtesë do të arrijë të sigurojë mbështetjen e nevojshme dypartiake për t’u kthyer në ligj.
