Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se ka përfunduar aksionin në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve në Kosovë (ARBK) në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT).
Prokuroria Themelore në Prishtinë, përmes një njoftimi për media ka njoftuar se në bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe njësitet përkatëse, në bazë të urdhëresës së lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, sot në orët e hershme të mëngjesit kanë filluar me zbatimin e një aksioni në Agjencinë e Regjistrimin e Bizneseve (ARBK), insititucion që funksionon në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, në komunën e Prishtinës.
Sipas njoftimit është bërë e ditur se lidhur me këtë aksion, ekziston dyshimi i arsyeshëm se të pandehurat me inicialet I.R.J., F.L., dhe A.I.K., në cilësinë e personave zyrtarë në ARBK, të njëjtat dyshohen për veprën penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ nga neni 414 par.2 lidhur me par.1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së, të cilat duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin, me dashje dhe me qëllim kanë ndërmarrë veprime të kundërligjshme në mënyrë që personi me inicalet I.B., të përfitoj dobi pasurore në mënyrë të kundërligjshme.
Tutje thuhet se sipas dyshimeve, ato kanë bërë ndryshimin e pronësisë së aksioneve të kompanisë ‘’N.K.W.P’’ ’’Sh.P.K’’ në vlerë mbi 50.000 (pesëmbëdhjetëmijë) euro.
Kurse, me vendim të prokurorit të shtetit, të dyshuarat janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa rasti po vazhdon të hetohet.
