Kosovë Lajme

“Nga Dardania te Pavarësia”, arti që rrëfen rrënjët dhe identitetin e Kosovës prezantohet në arenën ndërkombëtare

Një projekt artistik me peshë historike dhe simbolike, “Nga Dardania te Pavarësia – Rrënjët e Lirisë”, është prezantuar si një rrëfim i fuqishëm vizual që ndërthur lashtësinë dardane me identitetin modern të shtetit të Kosovës.

Kjo vepër është konceptuar për të nderuar 24 marsin, ditën kur nisën bombardimet e NATO-s në Kosovë, duke e kthyer kujtesën historike në art që flet për qëndresën, sakrificën dhe rrugën drejt lirisë.

Në qendër të kompozicionit qëndron qyteti antik i Ulpianës, i paraqitur përmes kolonave dhe mozaikëve të ndriçuar me dritë të artë, si simbol i qytetërimit dhe vazhdimësisë iliro-dardane. Një monedhë dardane dominon veprën, duke përfaqësuar identitetin historik të pandërprerë, ndërsa figurat simbolike të popullit shqiptar përshkojnë kohën, duke bartur kujtesën kolektive drejt dritës së lirisë.

Në sfond, elemente të fuqishme si Malet e Sharrit, lumenjtë e Kosovës dhe shqiponja në fluturim e kompletojnë narrativën artistike, duke dhënë mesazhe të qarta për qëndresën, shpresën dhe identitetin kombëtar.

Përtej dimensionit artistik, projekti mbart edhe një mesazh të fortë diplomatik: Kosova paraqitet si një vend me rrënjë të thella evropiane, një vazhdimësi e qytetërimit dardan dhe një shtet që ndërton të ardhmen mbi historinë e tij.

Ekspozita ndërkombëtare “Nga Dardania në Pavarësi” synon të forcojë marrëdhëniet kulturore mes Kosovës dhe Sllovenisë, si dhe të promovojë imazhin e vendit në arenën ndërkombëtare përmes artit bashkëkohor.

E organizuar nga Instituti Shqiptaro-Evropian, kjo ekspozitë sjell një rrugëtim të ndjeshëm dhe të fuqishëm nga rrënjët e lashta deri te shtetformimi modern, duke dëshmuar se liria është fryt i historisë, sakrificës dhe qëndresës së një populli.