Kosovë Kronikë Policore Lajme

Këta janë tre zyrtarët e ARBK’së që u ndaluan për falsifikim të dokumenteve

Policia e Kosovës ka shoqëruar në stacionin policor për intervistim ushtruesen e detyrës së kryeshefes së Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës (ARBK), në kuadër të Ministrisë së Tregtisë.

Gazeta Insajderi ka marrë vesh se në stacionin policor janë shoqëruar tre persona. Në mesin e tyre, sipas burimeve, është shoqëruar ushtruesja e detyrës së kryeshefes së ARBK’së, Igballe Rexha- Jashari.

Po ashtu janë ndaluar edhe zyrtari për procesimin e të dhënave, Albin Isufi dhe aprovuesja e lëndëve në këtë agjenci, Florije Lecaj.

Prokuroria ka bërë të ditur se hetimet janë në dy drejtime: për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe raste të posaçme të falsifikimit të dokumenteve.

“Gjatë këtij aksioni janë kryer bastisje në Agjencinë e Regjistrimin e Bizneseve (ARBK), institucion që funksionon në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, për shkak të dyshimeve për kryerjen e veprave penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ sipas nenit 414 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, si dhe veprën penale ‘’Rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve’’, sipas nenit 391 të KPRK-së”, thuhet më tutje.