Kosovë Lajme

“S’pate guxim” – Haxhi Avdyli i reagon Donika Gërvalles, bëhet fjalë për Vjosa Osmanin

Deputeti Haxhi Avdyli ka thënë se ministrja Donika Gërvalla-Schwarz e ka keqinterpretuar dorëheqjen e tij nga Guxo dhe ka kritikuar mungesën e reagimit të saj ndaj sulmeve dhe gjuhës, siç i quan ai, të papranueshme ndaj Vjosa Osmani.

Avdyli thekson se dorëheqja e tij nga funksionet partiake në Guxo nuk përbën pengesë për të vazhduar angazhimin si pjesë e grupit parlamentar të Lëvizja Vetëvendosje deri në përfundim të mandatit.

Ai nënvizon se në Kuvendin e Kosovës ekziston vetëm grupi parlamentar i Vetëvendosjes dhe jo një strukturë e përbashkët VV–Guxo, duke shtuar se përfshirja në këtë grup nuk kushtëzohet domosdoshmërisht me anëtarësi partiake. Sipas tij, edhe deputetë të tjerë kanë qenë pjesë e grupit parlamentar pa qenë anëtarë formalë të partive përkatëse.

Avdyli rikujton gjithashtu periudhën e vitit 2020, kur bashkë me Vjosa Osmani votuan kundër rrëzimit të Qeverisë Kurti 1 dhe më pas nuk votuan Qeverinë Hoti, ndërkohë që formalisht mbetën pjesë e grupit parlamentar të Lidhja Demokratike e Kosovës deri në zgjedhjet e vitit 2021.

Në reagimin e tij, ai kritikon Gërvallën për, siç thotë, keqinterpretim të dorëheqjes së tij dhe për mungesë solidarizimi ndaj sulmeve publike që, sipas tij, janë drejtuar ndaj Osmanit. Ai thekson se një njoftim zyrtar nga grupi parlamentar do të mjaftonte për ta përjashtuar nga takimet, por shpreh bindjen se një gjë e tillë nuk do të ndodhë.

Duke folur për gjendjen brenda Guxo-s, Avdyli shprehet kritik ndaj funksionimit të brendshëm të partisë, duke përmendur mungesë kuorumi në strukturat drejtuese, mbyllje zyrash dhe largim të aktivistëve. Ai paralajmëron se këto zhvillime mund ta çojnë projektin politik drejt dobësimit, megjithatë shpreh bindjen se ideja e Guxo-s do të vazhdojë të jetojë.

Në fund, Avdyli falënderon mediat për ftesat për intervista, por njofton se për një periudhë kohore nuk do të marrë pjesë në debate televizive.

Reagimi i plotë:

SQARIM PUBLIK
Për Donika Gërvalla-Schwarz e cila akoma nuk arriti të lexoi drejt aktin e dorëheqjes time nga funksionet në Guxo. Dhe pse kjo dorëheqje nuk është pengesë të jem pjesë e grupit parlamentar të #vetevendosje deri në përfundim të mandatit.
– Në Kuvendin e Kosovës, nuk ka grup VV- Guxo-A, por ka vetëm grup parlamentar të Vetëvendosjes.
– Nga 7 deputetë të Guxo vetëm dy ishim me funksione partiake e anëtar të forumeve partiake, të tjerët në asnjë forum nuk janë anëtar por kjo si ndalon të jenë deputet te grupit parlamentar te VV-së
-Në grupin parlamentar të VV-së janë së paku 3 deputetë që njoh, qe kurrë skanë pasë librezë partie VV apo Guxo e pas zgjedhjes deputet, e akoma nuk kam dëgjuar të jenë anëtarësuar ne asnjë parti.
Në pranverën e turbulencave të mëdha politike, të vitit 2020, kur bashkë me Vjosa Osmani , votuam kundër mocionit për rrëzimin e Qeverisë Kurti 1 e më pastaj as nuk votuam Qeverinë Hoti, ne vazhduam formalisht te jemi pjese e grupit parlamentar te LDK-në deri në zgjedhjet e vitit 2021.
Për pasojë e këtyre përplasjeve të mëdha politike lindi projekti politik #Guxo, ku themeluese e ideatore i saj ishte Vjosa Osmani, e cila me bashkimin politik me Vetëvendosjen, sollën ndryshimin e madh të 14 shkurtit.
Edhe pse veq dy orë para mbylljes se listave per deputet, ju u bashkuat kësaj liste të referendumit, unë e vlerësoj kontributin tuaj për këtë kapitull te ri politik që ndodhi në Kosovë .
– Përkunder këtyre sqarimeve, mjafton një SMS nga Kryetarja e grupit parlamentar Arbërie Nagavci, apo nga sekretariati, që jam i padëshiruar në takimet e grupit parlamentar, sepse sqenkam më nënkryetar në parti, e funksione tjera ne Guxo, atëherë unë nuk marr pjesë as në mbledhje as aktivitete tjera në të cilin më kanë deleguar qytetarët.
Kjo sbesoj që do ndodh, por supozojmë që ju do ndërhyni e të ndodh, unë prapë se prapë nuk do tentoj që me forcë te futem brenda ne takime si i paftuar.
E më pak të bëj skena si ju, kur para më shumë se 10 vite, tentove me forcë merrje pjesë në takim te KP te LDK-së ku as nuk ishit anëtar, as nuk kishit ftesë, as drejtë pjesemarrjeje. Dhe për ironi e fatit ishte e vetmja Vjosa Osmani atëbotë, që solidarizua me ju deri ne kacafytje.
Përkundër ketij solidarizimi të atëhershëm, dhe insistimit të saj shumë mujor në vitin 2021 për aktivizimin tuaj në politikë, gjatë intervistës se mbrëmshme, nuk patët guximin ta thoni së paku një fjalë solidarizimi apo dënim të fjalorit të shpifjeve më të ulëta, e konsipiracioneve më të çmendura, deri te kërcënimet me jetë.
Të gjitha këto të pasuara pas shprehjes së vullnetit legjitim edhe për nja mandat si Presidente e per vazhdimin e punëve të mira për shtetin e Kosovës, për të cilat publikisht jeni shpreh edhe ju që ishin të tilla.
#GUXO lindi nga guximi jo vetëm për ballafaqim me keqqeverisjen, por edhe në ringritje për dinjitet e kunder shpifjeve e padrejtësive.
Sot me dashje apo pa dashje ky projekt politik po shkon drejt zhdukjes, ku ska më as kryesi as këshill të përgjithshëm me kuorum.
Kjo situatë ka ardhur jo në mënyrë impulsive, por përmes injorimit, mbyllje e të zyreve, nënçmimit, ikjes nga diskutimet me aktivistë e veprimtarë shumë të devotshëm që një nga një, po ikin, shumë nga ta në heshtje.
Por jam i bindur se ideja e Guxo do jeton shumë gjatë edhe se vetë angazhimi ynë në politikë.
Sepse kjo ide lindi jo vetëm nga përplasjet politike e karrieriste por nga nevoja per ndryshim, e për kauzën për Kosovën më të mirë, zhvilluar, të drejtë e me mundësi të barabarta për të gjithë.
Të gjithë përkrahësve pro et kontra, ju siguroj që unë jam po i njëjti, dhe qëndroj në të gjitha deklaratat e kauzat e mëhershme. Shqetësimet më shumicën nga ju i kemi të njëjta, por këndvështrimet ngapak mund ti i kemi të ndryshme, për shkak se edhe informatat nuk i kemi të njejta.
Për fund, një falenderim për ftesat e shumta për intervista në TV që kam marr.
Të nderuar gazetarë po kërkoj mirëkuptimin tuaj, për mospjesëmarrje në intervista e debate edhe për një kohë.