Investigime Kosovë Lajme

Rizvanolli ‘avullon’ në filxhanë mbi 95 mijë euro, tender marramendës veç për pije e kafe për bufenë

Ministria e Ekonomisë, që drejtohet nga Artane Rizvanolli, ka nënshkruar një kontratë në vlerë prej 95,630 euro për furnizim me kafe, çaj, lëngje dhe pije të gazuara për bufetë e ministrisë, shpenzim që paguhet nga buxheti i shtetit.

Derisa qytetarët po përballen çdo ditë me rritje çmimesh dhe shtrëngim të buxhetit familjar, në institucionet publike vazhdojnë shpenzimet për luks të përditshëm.

Ministria e Ekonomisë, e udhëhequr nga ministrja Artane Rizvanolli, ka nënshkruar një kontratë prej 95,630 eurosh për furnizim me pije në bufetë e institucionit.

Sipas të dhënave të prokurimit publik, kontrata për “shërbime hoteliere-byfe në ambientet e Ministrisë së Ekonomisë” është nënshkruar më 10 mars 2026, ndërsa aktiviteti i prokurimit ishte iniciuar më 22 janar 2026.

Tenderi kishte tërhequr interesim relativisht të madh, me 32 kërkesa për tërheqje të dosjes së tenderit, ndërsa në fund 9 operatorë ekonomikë kanë dorëzuar oferta. Prej tyre, vetëm 4 janë konsideruar të përgjegjshëm, shkruan Gazetametro.

Fetus i kontratës është shpallur operatori ekonomik D.P.H. “DIAR” me seli në Prishtinë, me ofertën prej 95,630 euro, e cila njëkohësisht rezulton të jetë edhe oferta më e ulët e përgjegjshme.

Kontrata parasheh ofrimin e shërbimeve të bufesë për stafin e ministrisë, ku do të shërbehen pije të ndryshme të ngrohta dhe të ftohta brenda objektit të institucionit.

Sipas specifikacionit teknik, shërbimi do të ofrohet nga dy persona staf, ndërsa bufeja do të funksionojë nga ora 08:00 deri në 16:00 gjatë ditëve të punës.

Lista e pijeve që do të ofrohen është e gjatë dhe përfshin produkte të zakonshme të kafeterive: espresso, makiato e madhe dhe e vogël, cappuccino, nescafe (klasik dhe vanilje), kafe turke, bambi, çajra bimorë, si dhe lëngje frutash si mollë, vishnje, dredhëz, kumbull, pjeshkë dhe multivitaminë. Në ofertë përfshihen edhe pije të gazuara si Coca-Cola, Fanta, Sprite, Schweppes dhe Tonic.

Sipas dokumenteve të tenderit, pijet do të servohen të freskëta dhe sipas standardeve sanitare, ndërsa shërbimi mund të bëhet edhe nëpër zyra, sipas kërkesave të stafit të ministrisë, shkruan Gazeta Metro.

Megjithatë, shuma prej gati 96 mijë eurosh për pije brenda një institucioni publik ngre pikëpyetje për mënyrën se si planifikohen dhe menaxhohen shpenzimet në administratën shtetërore. Në një kohë kur shpesh flitet për kursim të buxhetit dhe racionalizim të shpenzimeve, kontrata të tilla për kafe, çaj dhe lëngje rrezikojnë të duken më shumë si komoditet institucional sesa si domosdoshmëri funksionale.

Në praktikë, kjo do të thotë se dhjetëra mijëra euro nga buxheti publik do të shkojnë për kafe dhe pije për zyrtarët e ministrisë.