Kosovë Lajme

Rasti i familjes abuzuese në Lipjan, gjashtë fëmijë të tjerë i dërgohen në strehimore

Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare ka bërë të ditur se familjes, ku njëri nga fëmijët pesë-vjeçar u keqtrajtua dhe u dërgua në QKUK për trajtim, i janë marrë edhe gjashtë fëmijë të tjerë dhe i janë dërguar në strehimore.

Përmes një komunikate për media thuhet se ministria ka ndërhyrë menjëherë dhe gjashtë fëmijë të tjerë kësaj familjeje janë vendosur në strehim dhe mbrojtje në një vend të sigurt.

“Nga momenti i njoftimit, institucionet përgjegjëse kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme për mbrojtjen e fëmijëve. Qendra për Punë Sociale në Lipjan, në koordinim me Departamentin e Shërbimeve Sociale në Ministri, në përputhje me mandatet e tyre ligjore, kanë ndërhyrë menjëherë dhe 6 fëmijët tjerë të kësaj familjeje janë vendosur në strehim dhe në mbrojtje në një vend të sigurt”, thuhet në komunikatë.

“Gjithashtu, ka kërkuar që Inspektorati për Shërbimet Sociale dhe Familjare të fillojë me urgjencë hetimin institucional lidhur me trajtimin e këtij rasti nga Qendra për Punë Sociale në Lipjan, në mënyrë që të verifikohet nëse janë zbatuar të gjitha obligimet ligjore dhe procedurat për mbrojtjen e fëmijëve, dhe mundësive të parandalimit”, vijon njoftimi.