Kosovë Lajme

Qesharake: Gërvalla e relativizon pak pretendimin e VV’së, thotë se qeveria s’pati “skandale serioze”

Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Donika Gërvalla, gjatë një interviste në televizionin publik mbrëmë, u përpoq ta lavdërojë qeverisjen pesëvjeçare dhe duke folur për gjuhën e përdorur në diskursin publik, tha se ekzistojnë zëra që i quajnë votuesit e LVV-së “budallenj” dhe “injorantë”.

“E di që ka kolegë tuaj të cilët votuesin e Kosovës e quajnë ‘budalla’, e quajnë ‘injorant’. Thonë ‘krejt votuesit e LVV-së janë budallenj’. Kjo është gjuha që përdoret”, tha ajo.

Gazetari Blerim Haxhiaj, i cili u bë më i njohur së fundmi për intervistat e tij të buta me kryeministrin dhe pushtetarët e tjerë, shtoi: “Ky fjalor juve po ju sjell vota, megjithatë…”

Momenti më i veçantë i intervistës erdhi kur, në përgjigjen e saj, Gërvalla u shpreh: “Mirëpo, nuk po na sjell kjo vota, po na sjell që kemi qeverisur pesë vjet me radhë pa asnjë skandal serioz”.

Ky formulim, në përpjekje për ta theksuar një bilanc pozitiv, pranoi ndoshta pa dashje hapësirën për interpretim të kundërt: se megjithatë, ka pasur skandale.

Deklarata duket si një rrëshqitje e pavullnetshme që relativizon pretendimin e vazhdueshëm të qeverisë për një mandat të pastër dhe pa afera.

Në vend që ta përforcojë narrativën e mungesës së skandaleve, deklarata e Gërvalës mund ta shtrojë një pyetje: ku qëndron kufiri mes një “skandali serioz” dhe një skandali që, sipas saj, mund të konsiderohet i pranueshëm?