Kosovë Kronikë Policore Lajme

Mashtroi me bileta avioni, i futi si kapital në kompanitë e tij- Policia jep detaje për të arrestuarin për pastrim milionësh

Policia e Kosovës ka dhënë detaje shtesë lidhur me të arrestuarin për pastrim parash.

Në njoftimin e përbashkët të PK’së me Prokurorinë Speciale, bëhet e ditur se Krimet Ekonomike kanë hetuar gjashtë persona për mashtrim. Që të gjashtit, sipas policisë, dyshohet se kanë mashtruar shtetasit e kosovës me bileta avioni nga viti 2015 deri më 2019-ën.

“Personat në fjalë dyshohet se ndaj shtetasve të Kosovës në vazhdimësi nga viti 2015 deri në vitin 2019 kanë kryer mashtrime me avio-bileta, për çka edhe ndaj tyre janë ngritur kallëzime penale në prokuroritë përkatëse”, thuhet në njofitm.

Policia e Kosovës gjatë punës hetimore ka arritur të sigurojë dëshmi se njëri nga të dyshuarit po ashtu dyshohet se ka qenë i përfshirë në pastrimin e parave përmes kompanive të kontrolluara prej tij.

Kompanitë e përdorura për këtë skemë kanë rezultuar se janë në pronësi të të dyshuarit i cili është arrestuar.

“Vlera totale e parave që dyshohet se janë pastruar përmes kompanive tejkalon shumën prej 2,000,000.00 euro (dy milion euro), po ashtu nga hetimet financiare rezulton se vetë i dyshuari po ashtu ka kryer deponime në para të gatshme mbi 800,000.00 euro (tetëqind mijë euro) për të cilat nuk është dëshmuar prejardhja e tyre dhe të njëjtat nuk janë justifikuar me aktivitetin ekonomik të deklaruar”, thotë policia.

Ndaj të dyshuarit, me vendim të prokurorit, është caktuar masa prej 48-orëve.