Përveç dyshimeve për krimin e rëndë, nga kërkimet e bëra në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK), rezulton se biznesi i tij “My Place” figuron i shuar që nga qershori i vitit 2022.

Përveçse punonte në të zezë, lokali nuk ishte i regjistruar fare për gastronomi, pasi në aktivitetet e biznesit të Zymberajt figuron kryesisht tregtia me shumicë e artikujve kozmetikë e farmaceutikë, dhe jo shërbimi në kafene.

Megjithatë, përkundër statusit zyrtar, lokali ka vazhduar të funksionojë lirshëm për klientët deri në momentin e vrasjes.
Rasti, sipas policisë, ka ndodhur rreth orës 05:20 të mëngjesit të këtij 16 marsi. Ndonëse kanë kaluar më shumë se 10 orë nga momenti i krimit, i dyshuari ende nuk është kapur nga Policia dhe ndodhet në arrati.
Në vendin e ngjarjes, ekipet policore kanë gjetur dhe sekuestruar pesë gëzhoja të armës së zjarrit, si dhe një mjet të mprehtë (thikë). Me urdhër të prokurorit, rasti është iniciuar si “Vrasje e rëndë”, ndërsa policia po punon për lokalizimin dhe arrestimin e të dyshuarit.
