Profesori Enver Hasani është ftuar për të dëshmuar në Prokurorinë Themelore në Prishtinë lidhur me pretendimet e tij për diplomë të falsifikuar nga dekani i Fakultetit Juridik në Universitetin e Prishtinës “ Hasan Prishtina”, Avni Puka.
Hasani ka konfirmuar se është ftuar të merret në pyetje në Prokurorinë Themelore në Prishtinë më 17 mars 2026.
Ky veprim vjen pasi profesori Envar Hasani, në intervistën dhënë për “Betimi për Drejtësi”, kishte thënë se ka dëshmi se dekani i Fakultetit Juridik, Avni Puka ka diplomën e doktoratës të falsifikuar, gjithashtu punimin tjetër të doktoratës e ka plagjiaturë. Për, këtë ai ishte shprehur se nuk është ftuar asnjëherë nga Prokuroria për të dhënë provat e tij.
Lidhur me këtë, “Betimi për Drejtësi” ka kontaktuar dhe i ka shënuar Pukës për të marrë një qëndrim nga ai, por se deri në publikimin e këtij raporti nuk ka kthyer ndonjë përgjigje. Raporti do të përditësohet kur të pranohet përgjigja.
Prokuroria Themelore në Prishtinë më 26 shkurt 2026 ka njoftuar se pas deklarimeve të ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, njëherësh profesorit Enver Hasani në emisionin “Betimi për Drejtësi”, ka lëshuar autorizim për Policinë e Kosovës që të ndërmarrë veprime hetimore për pretendimet e ngritura.
“Prokurori i shtetit, ka përcjellë me vëmendje deklarimin e ish Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese z. Enver Hasani, të dhënë në emisionin “Betimi për Drejtësi”, i transmetuar me datë 25.02.2026, i cili ndër të tjera ka deklaruar se për rastin e denoncuar nga ana e tij, nuk është ftuar nga prokuroria. Konform pretendimeve të ngritura nga z. Hasani në emisionin e lartcekur se posedon dëshmi lidhur me çështjen e denoncuar nga ana e tij, krejt kjo në drejtim të zbulimit të veprimeve inkriminuese të personit apo personave të dyshuar lidhur me këtë çështje, si dhe sigurimit të informatave dhe provave shtesë, me qëllim të zbardhjes së tërësishme të rastit…”, thuhej në njoftim.
Profesori Envar Hasani, në intervistën dhënë kishte thënë se ka dëshmi se dekani i Fakultetit Juridik, Avni Puka ka diplomën e doktoratës të falsifikuar, gjithashtu punimin tjetër të doktoratës e ka plagjiaturë. Për, këtë ai ishte shprehur se nuk është ftuar asnjëherë nga Prokuroria për të dhënë provat e tij.
“Betimi për Drejtësi“, kishte raportuar se po për këtë rast, Prokuroria Themelore në Prishtinë më 16 prill 2025 ka marrë vendim për mbylljen e rastit me shënim zyrtar ndaj dekanit të Fakultetit Juridik në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, Avni Puka, me arsyetimin se vërtetohet se ai ka doktoruar në Universitetin e Romës “La Sapienza”, dhe që ka prezantuar diplomën origjinale të mbrojtur në UP.
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi kishte deklaruar për “Betimi për Drejtësi”, se rasti ishte mbyllur me shënim zyrtar pasi provat e prokurorisë marrë nga UP-ja, vërtetonin ashtu.
“Po, me raport zyrtar për shkak se provat tona, që i ka pas Prokuroria e të cilat janë siguruar prej Universiteti e të cilat janë marrë mbi bazë të përgjigjeve të marra nga Italia kanë ardhë në atë përfundim. Por, nëse ky tash i ka tjerat prova që e flasin të kundërtën e asaj që na i kemi, atëherë dikush aty ka kryer vepër penale ose dikush po deklaron rrejshëm, e ka falsifikuar ose dikush diçka ka bë prej dy palëve. Këto pretendime ne duhet me i vërtetu”, tha Zejnullahu.
Profesori Hasani, më 19 qershor 2023, përmes e-mailit, kishte paraqitur dyshimet e tij tek Prokuroria se Puka ka kryer veprat penale “Mashtrimi” nga neni 323 të Kodit Penal dhe “Falsifikimi i dokumenteve” nga neni 390 të Kodit Penal. Sipas Hasanit, dekani Puka ka gënjyer se ka kryer doktoratën në Fakultetin Juridik në Universitetin “La Sapienza”, në Romë të Italisë, dhe se temën e doktoratës të kryer në UP, e ka plagjiat.
Për këto pretendime, Prokuroria kishte marrë vendim për mbyllje të rastit, me arsyetimin se pas hetimeve të kryera, vërtetohet se Prof.Asoc.Dr.Avni Puka, ka doktoruar në Universitetin e Romës “La Sapienza”, dhe që ka prezantuar diplomën origjinale të mbrojtur në UP.
“E për më tepër, kjo është konfirmuar edhe nga Universiteti i Romës “La Sapienza” (Itali), se janë përfunduar studimet e doktoratës nga Prof.Asoc.Dr.Avni Puka, e se diploma e Universitetit të Romës nuk është shfrytëzuar për avancim derisa z.Avni Puka ka marrë thirrjet e profesorit bazuar në diplomën e doktoratës së parë të kryer në Universitetin e Prishtinës. Gjithashtu, është vërtetuar origjinaliteti i punimit të doktoratës të Prof.Asoc.Dr.Avni Puka, me titull “Përgjegjësia penale e personave juridikë”, të mbrojtur me datën 08.09.2016, pranë Fakultetit Juridik, Universiteti i Prishtinës, si dhe është konfirmuar respektimi i kornizës ligjore dhe standardeve akademike në procedurën për avancim akademik të Prof.Asoc.Dr.Avni Puka”, thuhej në arsyetimin e Prokurorisë.
Andaj, sipas Prokurorisë, duke u bazuar në provat e administruara, nuk mbështetet dyshimi i arsyeshëm apo i bazuar se Puka është kryerës i këtyre veprave penale apo ndonjë vepre penale e cila ndiqet sipas detyrës zyrtare.
“Vlerësojmë se përgjegjësia penale duhet të provohet dhe se askush nuk mund të akuzohet në bazë të supozimeve pa pasur prova të drejtpërdrejta dhe bindëse, të cilat do ta përshkruanin me saktësi ekzistimin e fakteve përkitazi me kryerjen e veprës penale”, thuhej në raportin përmbyllës të Prokurorisë.
Megjithatë, Prokuroria kishte lënë të hapur mundësinë se nëse të ardhmen paraqiten prova të reja, mund të hapej prapë rasti.
Një ditë më parë, më 25 shkurt 2026, profesori Enver Hasani në një intervistë për “Betimi për Drejtësi”, kishte përmendur këtë pretendim të tij, duke thënë se asnjëherë nuk është ftuar nga Prokuroria për të paraqitur provat.
I pyetur prapë nëse ishte në dijeni për këtë vendim të 16 prillit 2025, ai është shprehur “Kurrë. Është hera e parë që po dëgjoj për të”.
Ndërsa, lidhur me atë se si e vlerëson vendimin për mbyllje të rastit duke hudhur poshtë pretendimet e tij, Hasani kishte thënë se pretendimet e tij nuk kanë rënë poshtë.
“Pretendimet e mia nuk kanë rënë poshtë, sepse unë kam prova të tjera që katërcipërisht vërtetojnë se Avni Puka nuk ka mbrojtur disertacionin e doktoratës në Fakultetin Juridik të Universitetit “La Sapienza”, siç ka pretenduar para Këshillit të Fakultetit Juridik dhe recensentëve që kanë hartuar raport pozitiv për avancimin e tij në thirrjen aktuale”, ka thënë Hasani.
Sipas tij, ajo diplomë është nxjerrë në qarkullim nga Avni Puka pasi siç pretendon Hasani, kishte deklaruar publikisht e me argumente, se Puka kurrë nuk i ka përfunduar studimet e doktoratës në Fakultetin Juridik të Universitetit “La Sapienza”.
“As Prokurori i Shtetit dhe as Këshilli i Etikës nuk kanë kompetencë për të nostrifikuar titujt shkencorë të fituar jashtë Kosovës. Këtë mund ta bëjë vetëm NARIC-u, që funksionon brenda MASHT-it. Prokuroria dhe Këshilli i Etikës duhet ta dërgojnë aty “diplomën” e Avni Pukës, dhe ju garantoj 100 për qind se do të dalë ashtu siç po them unë”, ka shtuar tutje.
Hasani theksoi se kjo është arsyeja pse ai nuk është ftuar asnjëherë nga Prokuroria apo Këshilli i Etikës.
“Arsyeja kryesore pse as Prokurori i Shtetit dhe as Këshilli i Etikës nuk më kanë thirrur kurrë për këtë çështje është pikërisht kjo – e kanë ditur se provat e mia e zbulojnë të vërtetën lakuriq”, ka përfunduar Hasani.
Këto pretendime të Enver Hasanit, dekani Puka më 2022 i kishte cilësuar si shpifje e fyerje. Kishte thënë se çdo pretendim do duhej të drejtohej të institucionet relevante, pa dëmtuar imazhin e fakultetit dhe pa i denigruar dhe fyer kolegët e tij.
“Për akuzat ndaj integritetit tim akademik dhe shkencor, nuk kam asnjë problem, sepse doktoratura ime është produkt i punës time dhe përkushtimit disa vjeçar (e verifikuar nga komisione, mekanizma e profesorë me kredenciale akademike). Por megjithatë, për shkak të akuzave publike, këtë çështje do ta adresoj tek autoritetet kompetente, për të provuar një gjë të tillë”, kishte shkruar ai.
Ai ishte shprehur i gatshëm të zbardhë çdo pretendim, sipas tij të pabazë, duke paralajmëruar se nuk do të tolerojë fyerje dhe shantazhe dhe do të përdorë të gjitha mjetet ligjore të lejuara.
Ndërsa, më 12 shkurt 2024, Këshilli i Etikës i UP-së, kishte marrë vendim ku kishte konstatuar se duke u bazuar në deklaratën e Universitetit të Romës “La Sapienza”, të Italisë, dhe diplomën e prezantuar, konfirmon vërtetësinë e përfundimit të studimeve të doktoratës nga ana e profesorit Puka.
Gjithashtu, Këshilli kishte konstatuar edhe origjinalitetin e punimit të doktoratës se Pukës, sipas tyre, duke u bazuar në raportin e ekspertizës profesionale.
Këshilli i Etikës, veç tjerash kishte konstatuar se duke u bazuar edhe në përgjigjen e Agjencisë Kosovare të Akreditimit dhe organeve tjera kompetente të Universitetit, konfirmon respektimin e kornizës normative dhe standardeve akademike në procedurën e avancimit të dekanit Puka.
Pas marrjes së vendimit nga Këshilli i Etikës, Avni Puka kishte reaguar duke thënë se gjatë tri viteve të ushtrimit të detyrës si dekan i Fakultetit Juridik, asnjë sulm, shpifje apo formë tjetër shantazhi nuk e ka zmbrapsur, duke theksuar se ka qenë i vendosur të ndalojë ndikimin abuzues të individëve dhe grupeve, si dhe të realizojë reforma të thella, të cilat, sipas tij, e kanë transformuar Fakultetin Juridik.
