Policia e Kosovës ka realizuar një operacion tjetër kundër fajdes në Prizren.
Pas këtij aksioni është arrestuar një person i dyshuar dhe katër persona të tjerë ndodhen në kërkim policor.
“Sipas dyshimeve të deritanishme, të dyshuarit në mënyrë të vazhdueshme kanë detyruar viktimën të paguajë shuma të ndryshme parash si interes për fajde, duke përdorur forma të ndryshme të presionit dhe dhunës. Po ashtu, ata dyshohet se në raste të caktuara e kanë privuar viktimën edhe nga liria, me qëllim që ta detyrojnë të paguajë kamata të larta të fajdesë. Dëmi i shkaktuar ndaj viktimës, sipas vlerësimeve fillestare, arrin shumën rreth 700,000 (shtatëqind mijë) euro, ndërsa të dyshuarit dyshohet se kanë kërkuar edhe rreth 450,000 euro shtesë në emër të interesit të fajdesë”, thuhet mes tjerash në njoftim
Njoftimi i plotë:
Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda e Policisë së Kosovës, pas zhvillimit të veprimeve intensive hetimore në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prizren, sot më datë 16.03.2026 ka realizuar një operacion policor të fokusuar në arrestimin e personave të dyshuar për përfshirje në veprimtari kriminale të lidhura me fajdenë.
Operacioni është zhvilluar në kuadër të hetimeve ndaj pesë personave të dyshuar me inicialet: B.K., GJ.K., E.K., E.K. dhe E.R., të cilët dyshohen për kryerjen e veprave penale “Fajdeja” nga neni 331, “Privimi i kundërligjshëm i lirisë” nga neni 193 dhe “Detyrimi” nga neni 328 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas dyshimeve të deritanishme, të dyshuarit në mënyrë të vazhdueshme kanë detyruar viktimën të paguajë shuma të ndryshme parash si interes për fajde, duke përdorur forma të ndryshme të presionit dhe dhunës. Po ashtu, ata dyshohet se në raste të caktuara e kanë privuar viktimën edhe nga liria, me qëllim që ta detyrojnë të paguajë kamata të larta të fajdesë.
Dëmi i shkaktuar ndaj viktimës, sipas vlerësimeve fillestare, arrin shumën rreth 700,000 (shtatëqind mijë) euro, ndërsa të dyshuarit dyshohet se kanë kërkuar edhe rreth 450,000 euro shtesë në emër të interesit të fajdesë.
Me urdhëresë të gjykatës janë realizuar kontrolle në pesë lokacione në qytetin e Prizrenit, ku është arrestuar një person i dyshuar, ndërsa katër persona të tjerë ndodhen në kërkim policor.
Me vendim të prokurorit të shtetit nga Prokuroria Themelore në Prizren, ndaj personit të arrestuar është lëshuar aktvendim për ndalim prej 48 orësh, ndërsa hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar.
