Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në episodin e 10-të të sezonit të gjashtë të podkastit “Flasim”, ka diskutuar me profesorin Arjan Gjonçaj lidhur me procesin gjyqësor ndaj komandantëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Gjatë bisedës, Gjonçaj u shpreh i habitur për mungesën e mbështetjes financiare nga shteti i Kosovës për specialistët dhe ekspertizën e nevojshme në mbrojtje të të akuzuarve.
Rama tha se për këtë çështje ka biseduar me persona të ndryshëm, por nuk e ka trajtuar drejtpërdrejt me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, duke shtuar se ka pasur frikë që një diskutim i tillë mund t’ua rëndonte pozicionin.
“Unë nuk e kam diskutuar këtë gjë nga afër me kryeministrin, me Albinin, por besoj që kjo nuk është bërë për arsye politike. Ai ndoshta ka pasur frikë ta bëjë këtë për të mos rënduar pozicionin e tyre, sepse pozicioni i tij në raport me BE-në dhe SHBA-të nuk është i lehtë”, tha Rama.
Ai shtoi se nuk e di saktësisht sa mbështetje financiare ka dhënë Kosova, por sipas tij Shqipëria ka kontribuar më shumë.
“Nuk e di sa kanë dhënë ata, me siguri më shumë se ne. Ne kemi ndihmuar më shumë. Besoj që ai nuk ka dashur të ekspozohet si person që po sfidon sistemin ndërkombëtar, ndërkohë që ka qenë haptazi kundër tribunaleve”, tha Rama.
