Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, do të vijë sot në Kosovë me mëngjes për një takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Për ardhjen e tij ka njoftuar Zyra e Kryeministrit, por pa dhënë shumë detaje. Takimi mes tij dhe Kurtit do të zhvillohet në orën 08:30 këtë të shtunë.
Vizita e Sorensen në Kosovë vjen dy ditë para se Ligji për të huajt dhe ai për automjetet të fillojë të zbatohet plotësisht.
Për këto ligje janë ankuar përfaqësuesit e komunitetit serb në Kosovë meqë pritet që ata të preken më së shumti.
Sipas këtyre ligjeve, të gjithë ata që nuk kanë dokumente të Kosovës, do të duhet të pajisen me leje qëndrimi, ndërsa automjetet me targa të huaja nuk do të mund të qarkullojnë në Kosovë më gjatë se tre muaj ose vetëm në bazë të autorizimit.
Ankesa për këtë çështje i janë dërguar Brukselit edhe nga Beogradi zyrtar.
Në fund të shkurtit, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, i tha Sorensenit se zbatimi i rreptë i këtyre ligjeve do të rrezikonte më shumë se 10.000 serbë që jetojnë dhe punojnë në Kosovë.
Në sistemet paralele të Serbisë në Kosovë punojnë ose studiojnë shtetas të Serbisë, të cilët nga 16 marsi do të duhet të kenë leje pune ose leje qëndrimi dhe aplikimi për këto leje është problematike meqë Kosovën s’i njeh dokumentet e Serbisë.
