Botë Lajme

Gjermania kapërcen Kinën, eksportuesja e katërt më e madhe e armëve në botë

Studimi më i fundit i Stockholm International Peace Research Institute (SIPRI) tregon se Gjermania e ka tejkaluar Kinën, duke u pozicionuar si eksportuesja e katërt më e madhe e armëve në botë.

Sipas SIPRI, ndërmjet viteve 2021 dhe 2025, Berlini ishte përgjegjës për 5.7 për qind të shpërndarjes globale të armëve, pak më shumë se Kina me 5.6 për qind. Në renditjen botërore, Shtetet e Bashkuara mbeten lideri i padiskutueshëm me 42 për qind të eksporteve të armëve, të ndjekura nga Franca me 9.8 për qind dhe Rusia me 6.8 për qind.

Ekspertët e lidhin rritjen e eksporteve gjermane me përpjekjet e shteteve europiane për të fuqizuar prodhimin e pajisjeve të mbrojtjes pas pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022. Në raport evidentohet edhe një tjetër fenomen i rëndësishëm: Ukraina u bë importuesja kryesore e armëve ne botë në të njëjtën periudhë kohore, me 9.7 për qind të importeve globale, çka reflekton qartësisht ndikimin e konfliktit ukrainas në tregun ndërkombëtar të armëve.

Blerësit kryesorë të armëve dhe pajisjeve ushtarake gjermane kanë qenë pikërisht Ukraina, Egjipti dhe Izraeli, cilët kontribuan në një rritje prej 15 për qind të shitjeve të jashtme krahasuar me periudhën 2016-2020. SIPRI nënvizoi se rreth një e katërta e eksporteve gjermane, ose 24 për qind, shkuan drejt Ukrainës si ndihmë ushtarake. Portofoli i tregtisë ushtarake të Gjermanisë përfshin automjete të blinduara, municione artilerie dhe sisteme mbrojtëse ajrore.

Produktet më të njohura, si Leopard 2, KF41 Lynx, Boxer dhe sistemi i mbrojtjes ajrore IRIS-T SLM, përdoren gjerësisht nga forcat ushtarake evropiane, duke pasuruar kapacitetin mbrojtës të kontinentit.