Është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji ndaj Eduard dhe Anton Kaçinarit, të cilët dyshohen për, “Fajde” dhe “Detyrim” në Prizren.
Gjykata Themelore në Prizren përmes një njoftimi ka theksuar se me rastin e caktimit të paraburgimit, ndaj të pandehurve ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e kësaj mase.
“Nga viti 2021 dhe në vazhdimësi, i pandehuri E.K., duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të të dëmtuarit B.Ç., i ka dhënë këtij të fundit shuma të ndryshme parash, duke kontraktuar përfitime dukshëm jo proporcionale. Si rezultat i kësaj skeme fajdeje, vetëm në emër të kamatave nga i viktima B.Ç., i njëjti merr mbi 400,000 (katërqind mijë) euro”.
“Në pamundësi për të përballuar dhe kthyer borxhin, hynë edhe viktima e dytë B.B., që merr para nga të pandehurit për t’i ndihmuar viktimës së parë në shlyerjen e borxhit. Të pandehurit E.K., dhe A.K., nga viktimat, për shkak të grumbullimit të kamatave, kërkojnë shumën prej 550,000 (pesëqind e pesëdhjetë mijë) euro. Për të siguruar këtë shumë, të pandehurit kërkojnë nga viktima B.Ç., që në emër të kamatave t’u kalojnë në pronësi lokale 2 (dy) lokale afariste dhe 1 (një) shtëpi, me vlerë të përgjithshme rreth 1 (një) milion euro’.
“Të pandehurit E.K., dhe A.K., me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, përdorin forcë duke i rrahur dhe kanosur viktimat, me ç’rast e detyrojnë viktimën B.Ç., që më datë 11.03.2026 së bashku me nënën e tij të shkojnë fillimisht në zyrën e përmbaruesit privat për të vazhduar më pas me procedurat noteriale për kalimin e pronës, mirëpo në aplikim të masave të veçanta hetimore, ndërhyn policia dhe i arreston të pandehurit”.
Shënim: Personi/personat e përmendur në këtë artikull, prezumohen të pafajshëm deri në një vendim të formës së prerë nga gjykata.
