Dimal Basha e ka nisur vrullshëm punën në Ministrinë e Infrastrukturës, një dikaster qeveritar që është lënë në gjendje shumë të rrëmujshme nga ministri i vjetër.
Ministri i ri po premton gati-gati luftë me operatorët ekonomikë privat, të cilëve ua ka hedhur pjesën më të madhe të fajit për dështimet e ish-kolegut të tij në Vetëvendosje, tash të larguarit nga partia, Liburn Aliut.
“Ka shumë projekte që kanë ngecur, jo me fajin tonë”, tha Basha të enjten.
Për ministrin e ri të Infrastrukturës, operatorët ekonomikë po shfrytëzojnë dhe po keqpërdorin mirëbesimin e shtetit e sidomos pozitën dominuese të tij si fuqi paguese.
“Unë jam argat i shtetit, në këtë rast më është dhënë detyra e ministrit dhe shteti është njëfarë Kingmaker në Republikë për shkak se ka para cash. Është e paarsyeshme që taksat tona t’i kemi cash dhe të mos arrijmë me kry punë”, paralajmëroi Basha, kompanitë e ndërtimit të rrugëve.
Basha vazhdoi duke i fajësuar këto kompani me ndërtimin e një rrëfim për të mirët – gjoja shtetin – dhe të këqinjtë – gjoja operatorët privatë.
“Unë mendoj që operatorët ekonomikë nuk janë treguar fer në raport me trajtimin që ne ua bëjmë atyre”, pretendoi ai dhe kërcënoi me ndërmarrje të masave: “Unë i kam paratë e shtetit dhe do të sigurohem që secilit operatorë t’ia ofrojmë mundësitë më të mira për t’i kryer punët që i ka nisë. Por, nuk lejoj në asnjë moment me manipulu dhe me shiku sesi me ia hangër ashtin këtij shtetit”
“Po të siguroj që do ta marrë masa; do të sigurohem që këta i kryejnë punët mirë. Në atë moment që s’kanë me kalu mirë me shtetin. Uroj të mos bëhet betejë se nuk ka një njeri, nuk ka biznes që e ka mposht ndonjëherë shtetin”, kërcënoi ministri Basha.
Masat e mundshme kundër kompanive të ndërtimit mund të jenë drastike, bazuar në paralajmërimin e ministrit.
“Jo penalltitë, unë jam edhe me i falimentu – kur çohen me luftu kundër shtetit a?”, u shpreh Basha.
I pyetur për autostradën e Gjilanit, Basha tha se do ta shohë terrenin, të kryejë analizën dhe pastaj të marrë vendimet për hapat e ardhshëm.
Edhe atje, adminsitrata e kaluar në Ministrinë e Infrastrukturës është përpjekur të shfajësohet – për dështimin aboslut në këtë projekt – te problemet burkoratike dhe neglizhenca e operatorëve ekonomikë.
Por Basha premton se do t’ua “lidh krytë” të gjitha këtyre problemeve.
“Unë po besoj që kemi me ua lidh krytë krejt problemeve. Këtu na duhet partnerë, operatorët ekonomikë të cilët janë duke u paguar cash me ato çmime aq sa i fitojnë [tenderët], mirëpo nuk ka asnjë operatorë ekonomikë që këqyr me vjedh shtetin”, sipas tij.
Ministri i ri u zotua se së shpejti, pasi të kryejë vizitat në terren dhe analizat e vlerësimet e domosdoshme, do të marrë vendime për secilën nga projektet që prej vitesh nuk kanë përfunduar si rrugët magjistrale Prishtinë-Pejë, Dollc- Gjakovë dhe të tjera.
