Lajme

Tahir Kukaj mban fjalim në New York State Assembly gjatë muajit të Ramazanit

Imami shqiptar Tahir Kukaj ka qenë i ftuar të flasë para New York State Assembly, ku mbajti një fjalim reflektues dhe një lutje me rastin e muajit të shenjtë të Ramazanit.

Në fjalën e tij, Kukaj e cilësoi këtë moment si një privilegj dhe nder të veçantë, duke theksuar rëndësinë e përcjelljes së mesazheve të paqes, pendimit dhe ripërtëritjes shpirtërore në institucionet më të larta të shtetit.

Ai shprehu mirënjohje të veçantë për deputetin Charles Fall, duke e vlerësuar atë si një lider të përkushtuar për komunitetin e Staten Island dhe një mik të komunitetit.

Sipas Kukajt, ftesa e përsëritur ndër vite për të marrë pjesë në këtë aktivitet është një dëshmi e frymës gjithëpërfshirëse që karakterizon qytetin e Nju Jorkut.

“Është një përgjegjësi që e mbaj me shumë respekt të ndaj mesazhin e Ramazanit në këto ambiente institucionale,” theksoi ai, duke falënderuar deputetin Fall dhe gjithë Asamblenë për mundësinë që i është dhënë për të ndarë bekimet e këtij muaji të shenjtë.