Botë Lajme

Trump thotë se Irani do të goditet më fuqishëm se kurrë

Presidenti amerikan, Donald Trump deklaroi se Irani, i cili sipas tij është “goditur deri në ferr”, ka kërkuar falje dhe është dorëzuar para fqinjëve në Lindjen e Mesme, duke premtuar se nuk do të sulmojë më vendet e rajonit.

Trump theksoi se ky dorëzim erdhi vetëm për shkak të sulmeve të vazhdueshme amerikane dhe izraelite, që sipas tij synonin të kontrollonin dhe sundonin Lindjen e Mesme.

Ai theksoi se kjo është hera e parë në mijëra vjet që Irani humbet ndaj vendeve përreth tij.

“Ata thanë ‘Faleminderit President Trump’,” shkroi ai, dhe shtoi se “Ju mirëpresim!”.

Trump e përshkroi Iranin më parë si “Bullying i Lindjes së Mesme”, ndërsa tani, sipas tij, është bërë “Humbësi i Lindjes së Mesme” dhe do të mbetet i tillë për dekada të tëra, derisa të dorëzohet ose, më me gjasa, të kolapsojë plotësisht.

Ai paralajmëroi gjithashtu se sot Irani do të goditet shumë ashpër, duke përfshirë zona dhe grupe njerëzish që deri tani nuk ishin konsideruar si objektiv i mundshëm, për shkak të sjelljes së tyre “të keqe”.

Ndryshe, presidenti iranian, Masoud Pezeshkian gjithashtu u kërkoi falje fqinjëve për sulmet ndaj tyre, duke sugjeruar se ato ishin shkaktuar nga keqkomunikimi brenda radhëve, raporton Telegrafi, transmeton Periskopi.

“Duhet t’u kërkoj falje vendeve fqinje që u sulmuan nga Irani, në emrin tim”, theksoi presidenti. “Që tani e tutje, ato nuk duhet të sulmojnë vendet fqinje ose të qëllojnë me raketa drejt tyre, përveç nëse sulmohemi nga ato vende. Mendoj se duhet ta zgjidhim këtë përmes diplomacisë”, pohoi ai.

Deklarata e tij u transmetua pas sulmeve të përsëritura të shtunën në mëngjes ndaj Bahrejnit, Arabisë Saudite dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.