Kosovë Lajme

Aksioni përfundon me shpëtimin e turistes italiane në Brezovicë, u përdor edhe helikopteri

Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor të Kosovës ka shpëtuar një turiste italiane në zonën e Brezovicës pasi ajo nuk mund të lëvizte si pasojë e një lëndimi.

“Më datë 07.03.2026, Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor i Kosovës (SHKSHMK) ka pranuar një thirrje lidhur me një aksident në zonën e Brezovicës, në kufirin mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Një grup turistësh italianë po skijonin në zonën ndërmjet Majës së Gurit të Zi dhe Majës së Liqenit, ku ka ndodhur aksidenti”, thuhet në njoftimin e ShKShMK-së.

“Ski-bjeshkatarja kishte pësuar frakturë në këmbë duke i pamëndësuar çdo lloj lëvizje nga vendaksidenti”.

“ShKShMK ka zhvilluar operacionin me dy ekipe që kanë zhvilluar operacionin nga qendra skitare e Brezovicës, ekipi i parë ka reaguar menjëherë duke ofruar ndihmën e parë dhe ka bërë imobilizimin e të aksidentuarës”.

“Ekipi i dytë është bashkuar me pajisje kolektive për evakuimin e të aksidentuarës nga itinerari i njejtë. Duke qenë zonë e izoluar dhe brenda territorit të RMV , është vendosur që evakuimi të bëhe me helikopter në bashkëpunim me autoritetet Republikës së Maqedonisë së Veriut”.

Ky Shërbim ka njoftuar se gjatë operacionit është koordinuar edhe me Ambasadën e Italisë në Kosovë, Agjencinë Italiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim, si dhe Ambasadën e Italisë në Maqedoninë e Veriut, dhe se ky operacioni është mbështetur nga menaxhmenti i Qendrës së Skijimit në Brezovicë.