Vetëm disa ditë pas nisjes së luftimeve me Iranin, po shtohen pyetjet se sa do t’u kushtojë kjo ndërhyrje ushtarake taksapaguesve amerikanë.
Sipas një raportimi të CNN, Pentagoni ende nuk ka publikuar një vlerësim zyrtar për koston e operacionit të emërtuar “Operation Epic Fury“, ndërsa deri tani nuk është kërkuar as buxhet shtesë nga kongresi amerikan.
Ekspertët paralajmërojnë se kostoja mund të jetë shumë e lartë.
Lindsay Koshgarian nga Instituti për Studime Politike tha se konflikti është i paparashikueshëm dhe shpenzimet reale do të dihen vetëm pasi të përfundojë lufta.
“Lufta në Irak përfundoi duke kushtuar gati 3 trilionë dollarë, kështu që kjo luftë mund të arrijë shifra astronomike”, tha ajo.
Rreth 891 milionë dollarë në ditë
Sipas një analize të bërë nga Qendra për Studime Ndërkombëtare dhe Strategjike (CSIS), lufta aktualisht po i kushton SHBA-së rreth 891.4 milionë dollarë në ditë.
Ekspertët thonë se kjo shifër mund të bie nëse SHBA kalon në përdorimin e municioneve më të lira dhe nëse sulmet me dronë dhe raketa nga Irani zvogëlohen.
Megjithatë, sipas raportit, kostoja përfundimtare do të varet kryesisht nga intensiteti i operacioneve ushtarake dhe reagimi i Iranit.
Analiza tregon se pjesa më e madhe e shpenzimeve lidhet me operacionet ajrore, detare dhe tokësore.
Operacionet ajrore: rreth 30 milionë dollarë në ditë
Operacionet detare: rreth 15 milionë dollarë në ditë
Operacionet tokësore: rreth 1.6 milionë dollarë në ditë
Sipas CSIS, 100 orët e para të luftës aktuale kanë kushtuar rreth 3.7 miliardë dollarë, ndërsa sulmet e vitit të kaluar kushtuan mes 2.04 dhe 2.26 miliardë dollarë, sipas Projektit Kostot e Luftës në Universitetin Brown në Ishullin Rhode të ShBA-ve.
Lufta mund të arrijë deri në 95 miliardë dollarë
Ende nuk dihet sa do të zgjasë operacioni. Administrata e presidentit Donald Trump ka përmendur afate të ndryshme nga dy deri në gjashtë javë.
Eksperti Kent Smetters tha për CNN se një luftë dy-mujore mund t’i kushtojë SHBA-së nga 40 deri në 95 miliardë dollarë, në varësi të intensitetit të operacioneve dhe nëse trupat amerikane vendosen në terren.
Ai theksoi se, megjithatë, kostoja e luftës do të ishte shumë më e vogël krahasuar me dëmet që do të shkaktonte një Iran me armë bërthamore.
