Kosovë Lajme

“Unë vetë do ta votoja” – Konjufca kërkon kandidat nga opozita dhe përmend Vjosa Osmanin si opsion

I propozuari i Vetëvendosjes për president, Glauk Konjufca, ka thënë se opozita do të duhej të dilte me një emër tjetër.

Sipas tij, është opozita ajo që po e bllokon procesin për zgjedhjen e presidentit.

“Versioni më i mirë është që opozita ta propozojë kandidatin e vet. Partitë politike PDK dhe LDK duhet ta propozojnë dikë; jam shumë kureshtar të di kush është ai që do ta votonin e që nuk jam unë, në mënyrë që të mos shkojmë në zgjedhje. Nëse nuk bën ai i Vetëvendosjes, atëherë le ta propozojnë”, tha ai para gazetarëve.

I pyetur se çka ndodh në rast se opozita nuk propozon një emër, ai u shpreh: “Atëherë do të shohim, do të vazhdojmë sipas procedurave”

Atij iu përmend edhe emri i Vjosa Osmanit, për të cilën nuk mohoi se ka votë për të.

“Po pra, Vjosa Osmanin ose këdo — edhe unë vetë kam për ta votuar. Nëse opozita nuk e gjen asnjë emër, ky është një përcaktim i qartë për të shkuar në zgjedhje”, deklaroi Konjufca.