Botë Lajme

Mbretëria e Bashkuar dërgon katër aeroplanë shtesë Typhoon në Katar, thotë kryeministri Starmer

Kryeministri britanik Keir Starmer tha të enjten se katër aeroplanë luftarakë shtesë Typhoon do të dërgohen në Katar, ndërsa konflikti në Lindjen e Mesme përshkallëzohet, duke këmbëngulur se Mbretëria e Bashkuar ka planin e duhur për mbrojtje.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, “reagimi i kujdesshëm i Britanisë ndaj krizës së Iranit dhe një sulm me dronë në bazën e saj kryesore ushtarake në Qipro kanë çuar në dyshime midis partnerëve në lidhje me efektivitetin e saj ushtarak”.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump e ka kritikuar gjithashtu Starmer për dështimin në ofrimin e mbështetjes së mjaftueshme për sulmet e tij ndaj Iranit.

Starmer tha në një konferencë për shtyp se Britania kishte planin e duhur dhe tashmë kishte para-vendosur pajisje ushtarake në të gjithë rajonin para fillimit të luftës.

“Fokusi im është të ofroj një lidership të qetë dhe të ekuilibruar në interesin kombëtar”, ka thënë Starmer.

“Kjo do të thotë të vendosim forcën tonë ushtarake dhe diplomatike për të mbrojtur popullin tonë, dhe do të thotë të kemi forcën për të qëndruar të vendosur pranë vlerave dhe parimeve tona, pavarësisht presionit për të bërë ndryshe”.

Ai bëri të ditur se Britania po dërgonte katër aeroplanë shtesë Typhoon për t’u bashkuar me skuadriljen në Katar për të forcuar operacionet tona mbrojtëse atje dhe në rajon.

“Ne kemi planin e duhur për mbrojtje”, tha ai.