Kosovë Lajme

Lirohet zyrtari kryesor zgjedhor në Prizren që u arrestua për falsifikim të votave

Nysret Bytyçi, kryetari i Komisionit Komunal Zgjedhor në Prizren, është liruar nga paraburgimi me vendim të Gjykatës Supreme.

Shkalla e tretë dhe e fundit e gjykatave e ka aprovuar kërkesën e avokatit të Bytyçit për mbrojtje të ligjshmërisë.

“Gjykata Supreme në çështjen penale ndaj të pandehurit N.B., për shkak të veprës penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, ka marrë vendim që të aprovojë kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë”, tha Supremja në një njoftim për media.

“Të pandehurit i është ndërprerë masa e paraburgimit dhe i njëjti është liruar për t’u mbrojtur në liri”, tha ai.

Bytyçi, i cili është zyrtari kryesor i KQZ-së në Prizren, dyshohet për keqpërdorim të detyrës dhe falsifikim të rezultateve zgjedhore.

Ai ishte arrestuar më 29 janar të vitit të kaluar në Prizren.