Kosovë Lajme Politikë

Plas mes ‘kampit’ të Kurtit e Osmanit: Fillojnë të hedhin baltë ndaj njëri-tjetrit për çështjen e presidentit

Zgjedhja e presidentit, konkretisht mos-propozimi i Vjosa Osmanit për këtë pozitë i përçau. Pushteti i bashkoi me LVV-në, e i njëjti po i ndan.

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, në konferencë për shtyp të mërkurën, ka tentuar të arsyetohet për “mos-propozimin” e Osmanit për presidente, sepse sipas saj, Osmanit i janë ofruar nënshkrimet për kandidaturën e saj, por ajo nuk ka pranuar.

“Si Lëvizje, i kemi ofruar Presidentes Osmani nënshkrimet për kandidaturën e saj, edhe pse nga ajo që e dimë asnjë subjekt politik nuk e ka bërë një gjë të tillë. Osmani nuk e ka pranuar këtë ofertë.”, tha Nagavci.

Pa kaluar shumë kohë, kjo u demantua nga Shefja e kabinetit të Osmanit, Learta Hollaj, e cila iu referua deklarimit të Osmanit si gënjeshtër.

“Demant. Presidentja Osmani demanton se i janë ofruar nënshkrimet dhe përkrahja nga Lëvizja Vetëvendosje për rizgjedhje si Presidente e Republikës së Kosovës. Kjo është gënjeshtër”, shkroi Hollaj në Facebook

Deklarimin e Nagavcit, të rremë e bëri edhe llogaria zyrtare e presidencës që shpërndau demantin e ashpër ku pretendimet u quajtën gënjeshtër direkt.

Sipas burimeve të Metro’s Osmani tashmë ka nisur organizimin për garë politike me një subjekt politik të quajtur ‘Lista Shpresa’ pas ish subjekti që e themeloi tashmë është nënshtruar dhe shkrirë mund të thuhet në Lëvizjen Vetëvendosje.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Arlind Manxhuka, e ka replikuar Hollajn, duke thënë se nëse ka dyshime për këtë, mund të vijë në zyret e Lëvizjes Vetëvendosje, ku do t’i ofrohen 33 nënshkrime, pra tre më shumë se kandidati i propozuar nga LVV, Glauk Konjufca.

“Nëse shefja e zyrës së Presidentes ka dyshime se nuk i kemi premtuar Presidentes 30 nënshkrime, e ftoj që sonte të vijë në zyret e Lëvizjes, do t’i ketë edhe 3 më shumë se kandidati Glauk Konjufca, pra 33”, ka shkruar ai.

Sikur të mos mjaftonte, s’kishte si të mungonte për fund edhe një reagim nga deputeti nga radhët e LVV-së, Mefail Bajqinovci, i cili gjeti hapësirën për ta treguar atë që veçse dihet, në mes të situatës kaotike politike, duke thënë se vendi nuk ka nevojë për zgjedhje të reja, ndonëse zhvillimet e fundit po shkojnë pikërisht në atë drejtim.

Mefi u shpreh se përgjegjësia për situatën aktuale nuk bie mbi partinë e tij, por mbi opozitën.

“Vendi nuk ka nevojë për zgjedhje të reja. Lëvizja i ka ofruar nënshkrimet si për opozitën, ashtu edhe për Presidenten Vjosa Osmani. Dyshoj që opozita ofron kandidatë, sepse nuk është hera e parë që shkaktojnë zgjedhje”, shkroi Bajqinovc.