Kosovë Lajme Politikë

Asnjë zgjidhje për presidentin, kokëfortësia politike rrezikon zgjedhje të reja

Kur ka mbetur edhe një ditë kohë për zgjedhjen e presidentit, akoma nuk dihet se kush do të jetë kandidat ndonëse disa figura publike e politike e kanë shprehur gatishmërinë për post e disa të tjerë janë përfolur si kandidat potencial.

Ora 12:00 e 5 marsit është data e fundit kur vendi duhet të ketë presidentin e ri, ndërsa i fundit që u përfol për këtë pozitë është i dyti i VV-së, Glauk Konjufca, por që askush nga VV nuk e mohoi e as nuk e pohoi këtë

Të martën Kurti u takua për të tretën herë me homologun e tij nga LDK, takim ky që nuk është se solli ndonjë rezultat konkret ndonëse Kurti pas takimit tha se ishte takim konstruktiv të njetën gjë nuk e thanë nga LDK.

Besian Mustafa pas mbledhjes së kryesisë që u mbajt pas takimit tha se ata janë të gatshëm për marrëveshje për mos ta quar vendin në zgjedhje, por që kjo marrëveshjë nuk po arrihet.

“Deri më tash nuk kemi asnjë kandidaturë zyrtare që ka 30 nënshkrime. Sa i përket marrëveshjes politike, deri në këto momente nuk kemi sepse në të kundërtën do të kishim lëvizje tutje”, deklaroi Mustafa.

Vjosa Osmani qysh pas përfundimit të zgjedhjeve u shpreh e gatshme për edhe një mandat por që Kurti kësaj here vendosi që të mos ta propozoj para deputetëve edhe pse para 5 viteve e qonte në qiell Osmanin me lëvdata.

Për mosrikandidimin e Osmanit, Kurtit kundër i dolën edhe mbështetësit e saj.

Një profil Facebook-u, me emrin “Vjosa edhe një mandat Presidente”, e ka cilësuar të parin e Qeverisë si “tradhtar”.

Edhe fansi tjetër i VV-së Xhevdet Pozhari që në zgjedhje lobonte mjaft shumë për VV-në veçse e ka pranuar “dështimin” e shtyrjeve të veta duke thënë se në një sondazh të bërë nga ai bindshëm e preferuar për Presidente të Republikës së Kosovës është Vjosa Osmani

Kjo pasi e provoi matjen online mes Konjufcës dhe Osmanit. Rezultati i doli nga 1 mijë e 600 reagime, 1 mijë për Osmanin, 600 për Konjufcën.

Osmani pas zgjedhjeve i “kërcënoi” partitë e tjera që nëse nuk e votojnë për edhe një mandat do t’i hyjë politikës dhe do të kandidoj në zgjedhje.

Figura tjera që kanë dalur publikisht si të gatshëm për këtë post janë ish ministri i arsimit, Arsim Bajrami, si dhe së fundmi veten e ka propozuar edhe këngëtari Blero.

Kushtetuta, në nenin për zgjedhjen e presidentit, thotë se presidenti i ri duhet të zgjidhet 30 ditë para se të përfundojë mandati i presidentit aktual, që në rrethanat e tanishme është data 5 mars, para se Vjosa Osmani ta mbyllë mandatin e saj më 4 prill.

Një kandidat duhet t’i sigurojë dy të tretat e votave të deputetëve në Kuvendin me 120 karrige, ndërsa kuorumi arrihet me 80 deputetë. Nëse në dy rundet e para një kandidat nuk i siguron 80 vota, atëherë në votimin e tretë mjafton t’i ketë 61.

Sipas Kushtetutës, po dështoi zgjedhja në këto tre runde, zgjedhjet e parakohshme parlamentare duhet të mbahen brenda 45 ditësh.