Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se aktualisht nuk ekzistojnë numra të mjaftueshëm për ta dërguar në votim kandidaturën për president, duke theksuar se prioritet mbetet shmangia e zgjedhjeve të reja.
I pyetur nga gazetarët pse nuk po e kandidon Vjosa Osmani për presidente, Kurti tha se nevojitet sigurim i plotë i votave në Kuvend, në mënyrë që procesi të mos dështojë.
“Ne duhet t’i kemi 80 veta që qëndrojnë në sallë dhe votojnë minimalisht. Konsiderojmë se nuk mund të shkojmë me 80 në votim. Po doli 79 numri në fund, automatikisht shkojmë në zgjedhje. E kemi prioritet absolut, në situatën aktuale politike, evitimin e zgjedhjeve. Duhet të sigurohemi që jo vetëm t’i kemi 80, por të sigurohemi që t’i kemi rreth 84-85 dhe për këtë po zhvillohet beteja me këto komunikime e me këto takime që po i zhvillojmë”, tha ai.
“Unë jam vazhdimisht në komunikim e në takime me të gjithë këta; kurrë s’ka qenë atmosfera më konstruktive me opozitën. Mirëpo, atmosfera më konstruktive nuk nënkupton automatikisht hapa konkretë. Tash 30-shi nuk zgjidh punë; edhe një herë po e theksoj, as 80-shi nuk është garanci. Duhet 84 ose 85 që të jemi të sigurt për 80, por si Lëvizja Vetëvendosje ne e kemi në dorë një 30-she për një kandidat. Me pakicat e tjera, si 66 që jemi, i kemi dy kandidatë, por është problematike sepse edhe 14 të tjerë nuk i kemi”, tha ai.
