Kosovë Lajme

Dëshmitari nga stafi i ZPS’së: S’kam njohuri për çështjen në fjalë, por kam qasje në të gjitha dokumentet

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, po vazhdon gjykimi ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit për veprat penale kundër administrimit të drejtësisë.

Të hënën, më 2 mars 2026, po vazhdon dëshminë dëshmitari i parë në këtë çështje gjyqësore, i cili dëshminë nën masa mbrojtëse e filloi më 27 shkurt, pikërisht në ditën kur filloi gjykimi, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Pasi që Prokuroria ka përfunduar me marrjen në pyetje të këtij dëshmitari, me kundërpyetje po vazhdon mbrojtja e Hashim Thaçit e përfaqësuar nga avokatja Sophie Menegon.

Ky dëshmitar është staf i Prokurorisë, dhe u pyet nga avokatja se sa ka njohuri për këtë çështje gjyqësore.

Ai mohoi se ka lexuar dosjen e Prokurorisë dhe atë të mbrojtjes në këtë çështje gjyqësore. Mirëpo, tha se ka qasje në të gjitha dokumentet e kësaj çështjeje e po ashtu edhe ato të çështjes së Thaçit për krime lufte.

Pas kësaj, u kalua në seancë private për publikun me kërkesën e avokates Menegon.

Në seancën fillestare më 27 shkurt 2026, Hashim Thaçi, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu, Isni Klilaj dhe Hajredin Kuçi, u deklaruan të pafajshëm për veprat penale që iu vihen në barrë.

Po atë ditë (27 shkurt 2026), nisi dëshminë edhe dëshmitari i parë në këtë çështje gjyqësore, i cili ishte me masa mbrojtëse.

Ndryshe, Hashim Thaçi ndodhet në Qendrën e Paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Ai është duke u gjykuar për krime lufte, si dhe më 2024 i është ngritur aktakuza kundër administrimit të drejtësisë.