Për dy muaj radhazi, nga marsi deri në prill të vitit 2023, dy veta e zhytën thellë në borxhe Gent Zeqirajn.
Historia nisi në mars të vitit 2023. I ndodhur përball vështirësive financiare në kompaninë “MCM City Center” dhe në nevojë të të hollave, Zeqiraj mori një borxh prej 5 mijë eurove nga Bashkim Mulolli.
Rolin e ndërmjetësuesit e kryente Ardian Hasani.
Për rreth dy muaj, shuma prej 5 mijë eurove që Mulolli dhe Hasani ia huazuan Zeqirajt u rrit në 335 mijë euro falë kamatës.
Mulolli pranoi t’ia japë këtë shumë me kusht që i dëmtuari të pranojë edhe një borxh të mëhershëm prej 2,500 euro, i cili brenda një viti, për shkak të fajdesë, kishte arritur shumën 11,500 euro. Si rrjedhojë, për shumën totale prej 17,500 €, i dëmtuari u obligua të paguajë 1,700 € fajde çdo muaj.
Për shkak të pamundësive që të shlyente borxhin, dy fajdexhinjtë e detyruan Zeqirajn që të luante lojëra të fatit, duke u zhytur në 250 mijë euro borxhe të tjera.
Të gjitha këto veprime përshkruhen në një aktakuzë të Prokurorisë Themelore në Ferizaj për rastin e njohur si “fajdeja”, raporton Paparaci.
“Më tej, nga i pandehuri A.M. është detyruar të përfshihet në lojëra fati, duke hyrë në borxh shtesë prej 250,000 €, çka e ka rritur borxhin total në 335,000 €. Në pamundësi për ta shlyer borxhin me fajde, i dëmtuari është kërcënuar vazhdimisht nga të pandehurit, derisa është detyruar ta paraqesë rastin në Policinë e Kosovës”, thuhet në aktakuzë.

Mulolli dhe Hasani akuzohen për fajde, detyrim dhe kanosje pikërisht për këtë rast. Aktakuza ndaj tyre është ngritur në fund të vitit 2024 nga prokurori i Krimeve të Rënda në Ferizaj, Rasim Maloku.
Mulolli është një person me rekord kriminal. Ai ishte burgosur në vitin 2020 pasi ishte dënuar për një rast të tentim-vrasjes. Ishte liruar në vitin 2021 pasi kishte pranuar të bashkëpunonte me Prokurorinë për zbulimin e një afere korruptive të ish-drejtorit të Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Lavdim Krasniqi.

Viktima e tij në fajde, Gent Zeqiraj vjen nga një prapavijë plotësisht e ndryshme. Ai është djali i një prej afaristëve më të pasur në Kosovë. Babai i tij është Milazim Zeqiraj, një afarist multimilioner që zotëron aksione në disa industri në Kosovë, përfshirë edhe në atë të sigurimeve.
Zeqiraj ka në pronësi kompaninë që merret me shërbimet e udhëtimit, MCM Group si dhe dyqanin e madh të shitjes së materialeve të ndërtimit dhe pajisjeve shtëpiake, “Mr. Bricolage”.

Afaristi zotëron aksione edhe në kompaninë e sigurimeve “SigKos” Sh.A., në të cilën posedon 49 për qind të tyre.
Paparaci e ka pyetur të martën Bankën Qendrore të Kosovës (BQK) rreth përfshirjes së Gent Zeqirajt, djalit të Milazim Zeqirajt të “SigKos”-it në raste të fajdesë, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk ka marrë përgjigje.
Milazim Zeqiraj, përpos bizneseve në industritë e udhëtimeve e sigurimeve, më herët ka pasur në pronësi hidocentralin “Burimi” në Istog. Po ashtu, pasuritë e patundshme në emër të tij ishin listuar edhe ndërtesat e fabrikave “Fateks”, “Eximkos”, Tregtia e Kosovës” si dhe “Remont”.
Në vitin 2012, Zeqiraj ishte bërë subjekt i mediave për shkak të lidhjeve të tij të ngushta me Besim Beqajn, ish-ministrin e Integrimeve Evropiane dhe ish-ministrin e Zhvillimit Ekonomik.
Kompania e “MCM Travel”, në pronësi të Zeqirajt, kishte fituar një tender për shërbime të udhëtimit nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik gjatë mandatit të Besim Beqajt si ministër. Para se të fitonte tenderin, Zeqiraj dhe Beqaj kishin figuruar si bashkë-aksionar në një kompani të ndërtimit, e cila më vonë ishte shuar.
