Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizja Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka deklaruar se partia e saj ende nuk ka një emër të përveçëm për presidentin e ardhshëm, ndërsa ka lënë të kuptohet se rizgjedhja e presidentes aktuale, Vjosa Osmani, do të varet nga sigurimi i votave të nevojshme në Kuvend.
Nagavci ka vlerësuar lart punën e Osmanit, duke theksuar se ajo ka përfaqësuar shtetin në mënyrë të shkëlqyeshme dhe në interes të Republikës së Kosovës. Megjithatë, ajo ka nënvizuar se zgjedhja e presidentit nuk është vetëm çështje vlerësimi të performancës, por kërkon mbështetje konkrete në votim.
“Sikur zgjedhja e presidentit të ishte vetëm çështje e vlerësimit të performancës, diskutimi do të ishte krejt tjetër. Por është e qartë se nevojiten votat në kuti”, ka thënë Nagavci në KTV, duke theksuar se, përkundër gatishmërisë së Osmanit për një mandat të dytë, pa numrat e mjaftueshëm në Kuvend, procesi mbetet i hapur.
Ajo është shprehur optimiste se deri në afatin përfundimtar do të arrihet një zgjidhje, duke përmendur si shembull bashkëpunimin e deritanishëm në votimin e pesë marrëveshjeve ndërkombëtare, të cilat morën edhe mbështetjen e deputetëve të opozitës.
