Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) ka njoftuar se, në përputhje me Udhëzimin Administrativ (UA) në fuqi, përcjellësit e pacientëve në Klinikën e Pediatrisë dhe në Klinikën e Kirurgjisë së Fëmijëve janë të liruar nga pagesa prej 3 (tre) euro për natë gjatë qëndrimit në klinikat e QKUK-së.
Sipas njoftimit, nga kjo tarifë përjashtohen gjithashtu edhe përcjellësit e pacientëve të Klinikës së Onkologjisë, si dhe të gjitha klinikave ku trajtohen pacientë me sëmundje malinje, pavarësisht nëse pacientët janë të shtruar në klinika të tjera brenda QKUK-së.
Po ashtu, pagesa nuk aplikohet për përcjellësit e pacientëve nën moshën 18 vjeç dhe për pacientët me sëmundje kronike.
QKUK sqaron se në Klinikën e Pediatrisë dhe në Klinikën e Kirurgjisë së Fëmijëve, përcjellësit nuk kanë paguar asnjëherë tarifën prej 3 euro për natë.
