Inspektorati Policor i Kosovës në dy raste të ndara, ka rekomanduar suspendimin e tetë zyrtarëve policorë në Gjakovë dhe Gjilan.
Rasti i parë ka ndodhur në Gjakovë me datë 19 shkurt ku një qytetar fillimisht ishte njoftuar për një gjobë për parking të veturës por që me të shkuar në stacion policor për të marrë gjobën, i njëjti pas bisedës me zyrtarët policorë është arrestuar si i dyshuar për kanosje, shkruan Reporteri.net.
Hetuesit me të marrë informacionet, bazuar në raportet e zyrtarëve policorë dhe analizimin e një audo-incizimi ka rezultuar se rasti nuk përckon me atë çfarë realisht kishte ndodhur. Me këtë rast janë suspenduar nga puna gjashtë zyrtarë policorë.
Rasti i dytë është në Gjilan ku janë suspenduar dy zyrtarë policorë të cilët dyshohen për veprën penale “Lajmërim apo Kallëzim i rremë”.
Komunikata e plotë:
Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht Departamenti i Hetimeve në dy raste të ndara i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin për tetë zyrtarë policorë në Gjakovë dhe Gjilan.
Rasti i parë raportohet të ketë ndodhur më 19.02.2026 ku fillimisht një qytetar në Gjakovë është njoftuar për një gjobë për parkim të veturës në vendin ku është e ndaluar. Qytetari kishte shkuar në stacionin policor për të marrë tiketën për kundërvajtje por i njëjti pas kontaktit dhe një bisede me zyrtarët policorë ishte arrestuar si i dyshuar për kanosje.
Hetuesit e IPK-së pas pranimit të informacioneve dhe ankesës për këtë rast kanë filluar të ndërmarrin veprime hetimore përfshirë analizimin e shkresave të rastit, raporteve të zyrtarëve policorë, analizimin e një audio-incizimi etj.
Pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore është vërejtur se raportet e zyrtarëve policorë mbi bazën e të cilave është iniciuar rasti i kanosjes nuk përkojnë me atë që dëgjohet në incizim dhe dyshohet se edhe nuk janë të vërteta.
Hetuesit e IPK-së janë konsultuar me Prokurorinë Themelore në Gjakovë dhe veprimet tjera hetimore do të ndërmerren ndaj gjashtë zyrtarëve policorë në procedurë të rregullt në drejtim të veprës penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Në interes të hetimit IPK i ka rekomanduar Policisë suspendimin për 6 zyrtarët policorë të Njësisë Rajonale të Komunikacionit Rrugor të Drejtorisë Rajonale të Gjakovës.
Në rastin tjetër, IPK i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin për dy zyrtarë policorë në Gjilan.
Hetimet lidhur me këtë rast ndaj dy zyrtarëve policorë janë duke u zhvilluar në koordinim me Prokurorinë Themelore në Gjilan në procedurë të rregullt me dyshimin për veprën penale “Lajmërim apo Kallëzim i rremë”
Hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorinë pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore lidhur me këtë rast për të sqaruar rrethanat e dy rasteve.
